Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, tha se policia e këtij vendi ka arrestuar 22 persona të dyshuar për sulmin e së dielës në Stamboll.
Në mesin e të arrestuarve, Soylu tha se është edhe personi që ka vendosur bombën.
Ai nuk dha më shumë detaje për ta, por akuzoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit – një grup militant – për sulmin.
Së paku gjashtë persona u vranë dhe 81 u plagosën nga shpërthimi në një zonë të frekuentuar të Stambollit.
Sipas autoriteteve, shpërthimi ndodhi pasditen e së dielës në Sheshin Taksim.
Zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, tha se incidenti besohet të jetë sulm terrorist, i kryer nga një grua.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen.
Duke folur në një konferencë për media në Stamboll, ai e dënoi, siç tha, “sulmin e poshtër” dhe shtoi se “era e terrorit” është në ajër.
Përgjegjësinë për sulmin deri më tash nuk e ka marrë asnjë grup.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën e akuzoi ministri i Brendshëm turk, është një grup militant që bën thirrje për shtet të pavarur kurd brenda Turqisë.
BE-ja dhe SHBA-ja e konsiderojnë atë si organizatë terroriste.
Ministrja për Familje dhe Shërbime Sociale e Turqisë, Derya Yanik, shkroi në Twitter se një punonjës i ministrisë dhe vajza e tij janë në mesin e viktimave.
Sulmi u dënua nga përfaqësues të disa vendeve të botës.
Sipas një deklarate të sekretares për media të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë “krah për krah” me aleatin e tyre të NATO-s në “luftën kundër terrorizmit”.
“Ne ndajmë dhimbjen tuaj… Ne jemi me ju në luftën kundër terrorizmit”, shkroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Twitter.
Vende, përfshirë Ukrainën, Pakistanin, Italinë dhe Greqinë, shprehën gjithashtu solidaritetin e tyre./REL/