Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla është shprehur se Aleanca e Rublave vijon të sulmojë Portin Turistik të Durrësit çdo ditë ndaj dhe s’po lenë gjë pa shpifur e trilluar.
Sipas tij, ata po shpifin për një prej kompanive më prestigjioze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit.
Balla: Çfarë s’po shpifin non-grata & Co ndaj një prej kompanive më prestigjioze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit, që është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit shqiptar në zhvillimin e Durrësit dhe në fakt gjithë Shqipërisë, si efekt i madh ekonomik. Duhet ta kuptoni se Aleanca Rublave do të vazhdojë të sulmojë Portin Turistik të Durrësit, për hesap të borderosë ku ata firmosin çdo ditë. Nuk ka shqiptare e shqiptar që nuk e ka kuptuar që ky është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit.
Balla gjithashtu thekson se ky projekt është një investim shumë i rëndësishëm dhe ka një impakt të madh ekonomik për vendin.
Balla: Projekti ka një vlerë investimi mbi 2 miliardë Euro, me një impakt ekonomik direkt që përfshin të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga zhvillimi i kësaj zone, si të ardhurat nga shitja e apartamenteve, hoteleria, ankorimi i anijeve e jahteve, etj. Impakti direkt përfshin gjithashtu punësimin e rreth 12.000 personave, fillimisht në ndërtimin e kësaj zone, më pas gjatë menaxhimit të saj si punësimi në hotele, në restorante, në njësi biznesi dhe shërbimesh. Zhvillimi i zonës do të sjellë për Durrësin përmirësim të infrastrukturës dhe faciliteteve urbane, forcimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve sociale, rivitalizimi të artit dhe kulturës në një mjedis turizmi elitar.