Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.7 Rihter ka goditur Italinë qendrore këtë mëngjes.
Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane Mesdhetare tërmeti kishte një thellësi prej 10 kilometrash.
Epiqendra e tërmetit u shënua në bregdet, rreth 64 km në lindje të Rimini.
Tërmeti u pasua nga 3 tërmete të tjera me magnitudë 4.0, 3.6 dhe 3.9 Rihter. Nga kontrollet e para të kryera nga zjarrfikësit dhe mbrojtja civile nuk raportohet për dëme në njerëz apo në ndërtesa.
Mediet në Itali raportojnë se lëkundjet e forta sizmike kanë panikosur banorët e Italisë qendrore, të cilët kanë nxituar të dalin nëpër rrugë.
Transporti hekurudhor u pezullua si masë paraprake në Ankona, për shkak të dyshimeve për dëmtim të binarëve derisa të kryen kontrollet.
Kryetari i bashkisë së Senigallia në provincën e Ankonës, Massimo Olivetti, ka urdhëruar mbylljen e shkollave dhe të të gjitha instuticioneve për të verifikuar qëndrueshmërinë e ndërtesave. I njëjti vendim u mor në Fano, Pesaro dhe Ankona: shkollat e të gjitha niveleve u mbyllën deri në një vendim të dytë.
Zjarrfikësit e Ankonës raportojnë se klinika private Villa Igea po evakuon pjesërisht strukturën.
Tërmeti është ndjerë në pothuajse të gjithë Italinë qendrore dhe veriore. Në Bolonja dhe Romagna tronditja është ndjerë veçanërisht në katet e sipërme të ndërtesave.