Kombëtarja shqiptare do të kthehet shumë shpejt, teksa pas 5 ditësh do të luajë një miqësore luksi me Italinë në “Air Albania” dhe më 19 nëntor, një ditë para nisjes së Botërorit do të luajë me Armeninë, po në Tiranë.
Trajneri Edi Reja do të shpallë nesër në mëngjes listën e lojtarëve të grumbulluar, ndoshta mund të jetë edhe lista e fundit që italiani bën, pasi gjasat janë që një trajner i ri të vijë në krye të Shqipërisë.
Në ditët e fundit, përveç emrave të Kamolezes dhe Di Biaxhos që kanë qarkulluar disi, gazeta ka renditur edhe dy alternativa të tjera për stolin kuqezi.
Një është Esteban Kambiaso, i cili ka vizituar pak ditë më parë Shqipërinë, dhe madje ka darkuar me kreun e FSHF-së Armand Duka, duke biseduar rreth kësaj çështjeje.
Ai mbetet një kandidat potencial për të marrë drejtimin, edhe pse eksperienca e tij si trajner nuk të ngroh aspak. Kjo për faktin se detyra e fundit dhe e vetme me ekip të rriturish e argjentinasit ka qenë në vitin 2018, si ndihmës trajneri i Kolumbisë.
Nga ana tjetër, një kandidat i mundshëm është edhe Marko Xhampaolo, ish-trajneri i Milanit, që ka dalluar më shumë me Sampdorian në Serinë A, i cili është edhe një preferencë e kreut të federatës.