Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion veliaj i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren Bora Muzhaqi ishin në Parkun e ri të Liqenit të Paskuqanit, u shpreh se Tirana dhe Kamza nuk ndahen më sot nga një lumë i mbushur me plehra si dikur falë zhvillimit dhe investimeve si ky liqen në simetri me liqenin e Tiranës.

“Jam shumë i lumtur që jemi këtu bashkë me kryeministrin në këtë tur në Paskuqan dhe Kamëz. E kemi nisur me disa takime, por qershia mbi tortë është gjithmonë takimi me të rinjtë. Tirana dhe Kamza rriten si dy anë simetrike buzë lumit, në një lumë që ishte i mbushur me plehra dhe na ndante, por tani po ndërtojmë 7 ura me ndihmën e Edit dhe një punë të Bashkisë së Tiranës që na bashkojnë mbi një lumë jo më të pistë po një lumë të pastër,” tha Veliaj.

“Kur e kam filluar unë punën si aktivist dhe angazhohesha në skuadrën e Edi Ramës, – kanë qenë zgjedhjet e vitit 2011, – një nga idetë vizionare ishte se si Bulevardi i Tiranës nga një copë e qytetit që e ndante lumi të kishte mundësi të vazhdonte në anën tjetër, të kishte mundësi që dy parqet, Parku i madh i Liqenit të Tiranës dhe parku i Paskuqanit të bashkoheshin. Asnjëherë nuk është vonë për t’ju kthyer pas një ideje të mirë. Jam shumë krenar që ajo ide e Edit në atë kohë sot po bëhet realitet,” kujtoi kryebashkiaku.

Veliaj tha gjithashtu se ashtu si Parku i Liqenit të Tiranës që sot është i tejmbushur me pemë edhe ky park i ri që i shtohet qarkut të Tiranës do të jetë një tjetër mushkëri për kryeqytetin falë pemëve të mbjella.

Veliaj se bashku me Kryeministrin Rama, ministren Muzhaqi dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës Rakip Suli zhvilluan një bashkëbisedim me të rinjtë e zonës së Paskuqanit.