Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se investimet e bëra në kryeqytet shmangën përmbytjet dhe situatat e veshtira me shirat e dendur. Në një intervistë për News 24, Veliaj theksoi se Sali Berisha dhe Ilir Meta sot janë kthyer në pacientë problematikë, që kanë arritur degradimin total. Ai permendi edhe foton fake news qe postoi Berisha para pak ditesh.
“Është një foto e vitit 2013, tek ajo zona që njihej si parking i ETC-së, në një zonë ku notonin makinat. Është e kohës kur Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulzim Basha drejtonin bashkinë e Tiranës. Sali Berisha dhe Ilir Meta sot janë kthyer në pacientë problematikë. Kur Ilir Meta përdor një foto të Kabulit për të sharë Tiranën, kur Sali Berisha detyrohet të riciklojë foto të vitit, kur ai dhe Lulzim Basha, bashkë me Ilir Metën, qeverisnin Tiranën dhe qeverinë e Shqipërinë, do te thote se jane vërtetë senilë, në një fazë kur degradimi moral, kthimi në rrënoja morale të kombit tonë i bën vërtetë për keqardhje. Ai duhet të ndihet keq, që po e mbyll me turp dhe me një imazh skandaloz të një njeriu që bën zhele vendin e tij, shan qytetin e tij. Sot ajri matet nga BE. Sot Tirana është qyteti me ajrin më të pastër në Ballkan, kryeqyteti me ajrin më të pastër në Ballkan. Sot te i njëjti vend i fotos është kulla e Downtown. Edhe për armiqtë e kullave, eksperienca tregon se aty kur ndërtimet janë bërë mirë, jane lidhur kolektorët, zonat dikur me ferrishte jane bere me te mira, kullat e bëra mirë i rezistuan tërmetit dhe nuk kanë shkaktuar përmbytje në ato vende ku më përpara bëheshin pellgaqe në kohën e Saliut, Ilir Metës apo Lulit në Tiranë. Ndjej keqardhje dhe uroj që djali ose e shoqja ta “lidhin”, në kuptimin metaforik të fjalës, sepse po e mbyll me turp jetën e tij dhe do mbahet mend si një plak i lig që vetëm mallkon vendin e tij”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkise renditi dhe masat e marra nga Bashkia e Tiranës për të shmangur përmbytjet që 7 vite më parë ishin bërë të zakonshme sa herë kishte reshje.
“Ne pastrojmë shtratin e Lanës dhe lumit të Tiranës që të jemi të përgatitur. Edhe ndryshimet klimatike po japin koston e tyre në Tiranë. Në një situatë si kjo, kur shiu i disa muajve bie në pak orë dhe pak ditë, jemi një situatë të jashtëzakonshme, por Lana nuk del më nga shtrati. U bë i disati vit që nuk del më nga shtrati. Duhet të vazhdojmë zgjerimin e Lanës nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar, që e gjithë rrjedha e Lanës të mos ketë problematika. Kemi bërë edhe një investim të jashtëzakonshëm në Lumin e Tiranës. Ishte një investim që e bëmë që në fillim të mandatit tonë, sot po jep rezultatet e veta. Në proces të këtyre investimeve kemi larguar edhe ndërtimet e paligjshme në shtretërit e lumenjve. Pra ndonjëherë është fatkeqësia natyrore që sjell dëme. Edhe histerinë duhet ta menaxhojmë me karar. Nëse në pak minuta lagen gomat e makinave nuk më duket dramë aq e madhe, ndodh në çdo vend të botës”, deklaroi Veliaj.