Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë artistët dhe qytetarët. Në prezantimin e buxhetit 2023 me banorët e Njësisë 1, Veliaj tha se këtë javë pritet të shpallet fituesi për garën e Teatrit të ri Kombëtar. Sipas tij, me gjithë kundërshtimet dhe ndërhyrjet e politikës kundër këtij projekti, Teatri i ri Kombëtar së shpejti do të jetë një realitet, sidomos për artistët dhe të rinjtë e kryeqytetit.
“Këtë javë përfundon gara për Teatrin e ri Kombëtar. Është një nga projektet që u politizua më shumë, në një vend ku xhanëm është politizuar gjithçka: U politizua këndi i lodrave, u politizua Kopshti Zoologjik, sheshi “Skënderbej”, “Pazari i Ri”, kështu që edhe Teatri i Ri nuk i shpëtoi. Çështja është kjo: A i takon gjeneratës sonë, Kryeqytetit Europian të Rinisë, të shkojë me batanije në dimër në teatër, apo me peshqir në verë? Është pa kuptim! Kishte tre vjet që nuk jepej asnjë shfaqje! Kishte që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, që nuk kishte ardhur një trupë e huaj të jepte një shfaqje, se godina ishte në një gjendje të degraduar. Për sa kohë që e kishte ezauruar funksionin e saj – unë edhe sot e kësaj dite i qëndroj atij vendimi – besoj se morëm vendimin e duhur për të hequr një karakatinë tallashi. Këtë javë do të kemi shpalljen për fituesin dhe do fillojmë punën që, 100 vitet e ardhshme, çunat dhe gocat e këtij qyteti të mos shkojnë as me batanije dhe as me peshqir në teatër”, deklaroi Veliaj.