Në vijim të turit në çdo njësi, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me të rinjtë e Njësisë 2, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre dhe informuar për investimet që po ndodhin në këtë zonë. Veliaj tha se vitet e fundit Tirana po bëhet një qytet kozmopolitan, jo vetëm me qytetarë nga e gjithë Shqipëria, por edhe me shumë kombësi të ndryshme, ndaj nuk kanë vend deklaratat raciste të eksponentëve të partive opozitare.
“Tirana është një mozaik me qytetarë nga të gjitha cepat e Shqipërisë, prandaj një ndër gjërat që më ka trishtuar këto ditë, teksa shumë parti po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme, është se pika e parë e platformës së këtyre 3-4 kandidatëve të parë – që meqë ra fjala, u uroj të gjithëve sukses, dalshin faqebardhë, nderofshin veten dhe familjet e tyre, ndoshta edhe partitë e tyre – është: ‘Në dallim nga ky, që është kryetar bashkie sot, unë nuk jam i ardhur në Tiranë’. Po çfarë do të thotë kjo në vitin 2022? Shoqëria jonë po bëhet gjithmonë e më shumë mendjehapur, ndërkohë ka një pjesë që tregon racizëm të tipit: ‘Kush je ti, kush jam unë?’ ‘Nga ke ardhur ti?’ Njësoj si muhabetet e lagjeve”, tha Veliaj.
Thirrja e kryebashkiakut për të rinjtë e Njësisë 2 është të jenë më solidarë, pasi kjo ka më shumë rëndësi tani, kur e gjithë bota është prekur nga situata me çmimet e luftës. Veliaj tha se është krenar për djemtë dhe vajzat që ndihmojnë personat në nevojë dhe bëhen bashkë në periudha të vështira.
“Kam një thirrje për ju: Kemi shumë nevojë për solidaritet si shoqëri. Ka njerëz rreth nesh, të cilët kanë nevoja që mund t’i përmbushim, ndaj jam shumë i lumtur që, shumë nga çunat e gocat e rinj të Këshillit Bashkiak kanë qenë edhe dëshmitarë të solidaritetit. Kjo është një kohë e vështirë, që për shkak të luftës në Ukrainë dhe inflacionit të çmimeve, mamatë, gjyshet tuaja, amvisat, i blejnë produktet me çmim më të lartë. Këtu pyetja është: Jemi ‘secili për vete, Zoti për të gjithë’, apo po rritet një racë tjetër çunash e gocash shqiptarë që thonë: Patjetër, dua të eci përpara me sukses, por do ndihmoj edhe shoqen time apo shokun tim që ka nevojë. Ose në pallatin im është edhe një gjyshe e vetmuar, që i ka fëmijët në emigracion, të cilën mund ta ndihmoj me pazarin ose me ilaçet”, tha Veliaj.
Me të rinjtë e Njësisë 2, Veliaj foli edhe për disa prej investimeve që vijojnë në Tiranë, që nga shkollat e reja, te korsitë e biccikletave, te 100 terrenet e reja sportive, si dhe te fokusi për programet kulturore dhe teknologjike në çdo shkollë.