Gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e Kupës së Botës në Katar, Gianni Infantino komentoi: “Ne jemi kritikuar shumë. Sot ndihem nga Katari. Sot ndihem arab. Sot ndihem afrikan. Sot ndihem homoseksual. Sot ndihem si një punëtor emigrant.
Mbaj mend prindërit e mi, të cilët si emigrantë punonin shumë, në kufi, kërkonin punë në Zvicër. Kur mbërrita në Doha m’u kujtua fëmijëria dhe thashë: Kjo nuk është mirë, duhet të bëjmë diçka. Zvicra është një shembull i gjithëpërfshirjes.
Edhe Katari ka bërë përparime në këtë drejtim. Sigurisht që unë nuk jam nga Katari, nuk jam afrikan, nuk jam arab, nuk jam homoseksual, nuk jam punëtor emigrant… Megjithatë, e di si është të ngacmohesh, të jesh ndryshe në shkollë.
Prandaj nuk është e lehtë të lexosh komente çdo ditë për 12 vite. Ka një standard të dyfishtë. Unë jam evropian. Kush i ndihmon punëtorët migrantë? Rreth 25.000 punëtorë emigrantë kanë vdekur si rezultat i politikës evropiane të migracionit që nga viti 2014.
Në Evropë ne mbyllim kufijtë dhe nuk pranojmë punëtorë që vijnë të punojnë legalisht. Dhe pastaj ne kritikojmë Katarin. Ka një standard të dyfishtë”.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se i duket “e padrejtë dhe hipokrite” të kritikohet Botërori në Katar: “Unë e di se çfarë do të thotë të jesh i diskriminuar. Në shkollë, si fëmijë, më ngacmonin sepse isha flokëkuq dhe sepse kisha skuqje në fytyrë. Ajo që po ndodh tani është thellësisht, thellësisht e padrejtë.
Kritikët e Kupës së Botës janë hipokritë. Për atë që evropianët kanë bërë në 3.000 vitet e fundit, ne duhet të kërkojmë falje për 3.000 vitet e ardhshme, para se t’iu japim leksione morali të tjerëve. Këto mësime morale nuk janë gjë tjetër veçse hipokrizi. Katari dhe kryeqyteti, Doha, do të jenë gati të presin Kupën e Botës më të mirë në histori”.
Infantino gjithashtu nënvlerësoi ndalimin e pirjes së alkoolit në stadiume dhe tha se tifozët e futbollit mund t’ia dalin edhe “pa pirë birrë për tri orë”: “Personalisht mendoj se mund të mbijetojmë pa pirë birrë për tri orë, qoftë në Francë, Spanjë apo Skoci”.