Xhubleta dhe dijebërja e saj, merret në mbrojtje nga UNESCO, tanimë si pjesë e Pasurisë Botërore të Njerëzimit. Dukuria e rrallë shqiptare, është pranuar sot në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, prej Rabatit, kryeqendrës së Marokut, ku mbahej mbledhja e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Ministrja u shpreh se votimi ka qenë unanim, dhe pranimi do të bëjë të mundur shmangjen e rrezikut që i kanosej dijebërjes së saj, duke pasur tashmë edhe kujdesin e institucioneve ndërkombëtare .
“Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë! Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit!” – shkroi Margariti.