Grida Duma ka lënë sot mandatin e deputetes që e mori nga zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Përpara se të dilte në një konferencë për shtyp, ajo i ka dërguar një letër kryetares së Parlamentit, ku e ka njoftuar për vendimin që ka marrë.

Në të njëjtën kohë, ajo ia ka çuar letrën edhe kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj si dhe ka vënë në dijeni sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj.

Letra

Ju drejtohet me këtë shkresë në mënyrë që, në cilësinë e detyrës dhe pozicionit Tuaj, të kryeni hapat formalë që pasojnë lënien apo dorëzimin e vullnetshëm të mandatit tim si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Partia Demokratike, Qarku Tiranë.

Vendimi për lënien apo dorëzimin e mandatit të deputetes, mbështetet në vullnetin tim të lirë e të plotë, bazuar në bindjen dhe arsyetimin tim se si duhet përmbushur misioni i përfaqësimit të votuesit.

Për rrjedhojë, nga dita e sotme që mban datën e shënuar në këtë shkresë, ju dorëzoj mandatin e deputetit.