Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë veprime për të ndaluar sulmet ajrore ruse. Kjo thirrje vjen pas një sulmi që ushtria ruse ndërmori një ditë më parë dhe vrau 6 persona si edhe la pa energji elektrike disa qytete ukrainase.
“Sot është vetëm një ditë, por ne jemi goditur nga 70 raketa. Kjo është formula ruse e terrorit”, tha Zelensky në mbledhjen e këshillit përmes një video-lidhje.
Ai tha se raketat kanë goditur spitalet, shkollat, infrastrukturën e transportit dhe zonat e banuara, duke shtuar se Ukraina po pret të shohë “një reagim shumë të fortë” nga bota.
“Ne nuk mund të jemi peng i një terroristi ndërkombëtar”, tha ai.