Nga Resul Resulaj

Rreth 107 vite më parë kur Lufta e Madhe sapo kishte filluar, pothuajse të gjithë aktorët kryesorë të kohës mendonin se ushtarët e Antantës dhe Bllokut Qendor do të ktheheshin në shtëpi për Krishtlindje, edhe që lufta që kishte mbërthyer Evropën do të ishte një inkursion i shkurtër disa mujor që do të vendoste rendin e prishur në kontinentin e vjetër. Në fakt jo vetëm Evropa por mbarë bota përjetoi një konflikt të stërgjatë mbi 5-vjeçar dhe shkatërrimtar për mbarë planetin, njëkohësisht pikënisje e konflikteve të tjera akoma edhe më të përgjakshme.

Kur Federata Ruse në mesnatën e datës 24 shkurt të këtij viti nisi të quajturin Operacion Special në Ukrainë, shumëkush mendonte se konflikti do të gjente një rrugë zgjidhje brenda një kohe të shkurtër dhe gradualisht lufta do të ndalej në pranverë apo në fund të verës së këtij viti. Ndryshe nga gjenerata e 107 viteve më parë, gjenerata jonë nuk është e rritur me konceptin e luftës si një nocion i përditshmërisë. Dekadat e paqes relative kanë bërë që lufta në Evropë të duket më tepër si subjekt i librave të historisë se sa një kërcënim i stabiliteti botëror. Gjithashtu në ndryshim nga fillim shekulli i kaluar ku nuk vepronin institucionet ndërkombëtare, aktualisht janë qindra prej tyre, por shumë pak efikase në praktikë.

Fundi i këtij viti të pazakontë po e gjen Ukrainën të sulmuar nga agresioni rus për gati 10 muaj me radhë. Sipas analizave aktualisht 15% e territorit të Ukrainës vijon të jetë e pushtuar nga forcat ruse e shtrirë në pjesën lindore dhe jug-lindore të Ukrainës, nga më tepër se 25% që kontrollonte në muajt mars dhe prill. Nga Ukraina rreth 45 mijë vetë kanë humbur jetën, 15 mijë vetë rezultojnë të zhdukur dhe rreth 7 milion banorë janë zhvendosur që prej fillimit të konfliktit. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar së në Buça dhe Kherson Oblast janë kryer krime kundër popullsisë civile dhe njerëzve të pafajshëm. Pjesë të konsiderueshme të logjistikës së Ukrainës janë shkatërruar duke lënë kështu qytetet më kryesore pa energji elektrike, transport publik dhe ujë të pijshëm. Çfarë është më e rendësishmja vendi është nën ethet e lajmeve të përditshme nga fronti i luftimeve në fushëbetejën e Ukrainës.
Nga ana tjetër për arkitektin e kësaj lufte Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin planet nuk po shkojnë aspak siç ishin planfikuar, ideja e një lufte të rrufeshme që do të gjynjëzonte Ukrainën brenda tre ditësh nuk rezultoi të ishte e saktë. Rusia tani po përballet ndoshta në atë që mund të quhet dështimi më i madh ushtarak i Putin. Burimet Ukrainase pretendojnë se mbi 90 mijë ushtarë rus janë vrarë, 3 mijë tanke janë shkatërruar dhe qindra deri mijëra armatime luftarake janë nxjerrë jashtë përdorimit.

Lufta në Ukrahinë po shihet si një barrë e rëndë financiare dhe demografike për popullin rus, mijëra prej të cilëve e shohin largimin nga Rusia si të vetmen mënyrë për të shpëtuar nga detyrimi ushtarak. Madje si asnjëherë më parë në 23 vite në pushtet Putin është shfaqur shumë rrallë në publik edhe së fundmi ka anulluar pjesëmarrjen në të gjitha eventet dhe daljet publike të festave të fundvitit. Të gjithë janë të vetëdijëshëm që mbajtja e një territori kaq të madh sa Ukraina është e pamundur dhe kjo tregohet në çdo ditë që kalon nga fillimi i luftës.

Një gjë mund të thuhet me bindje të plotë. Nesë ka një betejë që Ukraina tashmë e ka fituar, kjo është beteja për të mbatur gjallë moralin e lartë jo vetëm mes ushtareve por dhe mes popullsisë, meritë kjo e padiskutueshme e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy përmes strategjisë së komunikimit. Presidenti i Ukrainës i gjendur përballë një agresionit të Rusisë ka zhvilluar një fushatë të shkëlqyer diplomatike duke siguruar ndihma të çmuara në armatime dhe mbështetje logjitike për të rimarrë territoret ende të pushtuara nga Rusia, si dhe ka udhëhequr ushtrinë e tij në disa taktika strategjike efikase si përdorimi i dronëve, lufta guerrile, mbështetja diplomatike etj.
Vizitat e krerëve të shteteve më të rendësishme të Evropës si Johnson, Macron, Shcoltz etj si dhe prezenca e tij në forumet më të rendësishme botërore e ka kthyer vëmendjen e opinionit publik mbarëbotëror nga lufta në Ukrainë si një përpjekje e një populli për të mbrojtur sovranitetin dhe për të përcaktuar të ardhmen. Vizita e Presidentit Volodymyr Zelenskyy gjatë këtyre ditëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku takoi Presidentin Biden dhe mbajti një fjalim në Kongres ku foli për “turning point” të luftës, po shihet si një sukses diplomatik pas disa lëkundjeve në marrëdhëniet mes dy vendeve në javët e fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë afirmuar edhe një herë partneritetin ndaj Ukrainës dhe ka arritur të vendosë në dispozicion 1.85 miliardë dollarë për sistemin e mbrojtjes ajrore, 2000 tanke si dhe pajisje të tjera ushtarake tepër jetike për avancimin e ushtarëve ukrahinas drejt rimarrjes së territoreve që ende mbahen të pushtuara nga Rusia.
Për t’u ndalur edhe një herë në paralelizmin me Luftën e Madhe të trajtuar në fillim të shkrimit, disa burime thonë se ditën e Krishtlindjeve ushtarët gjermanë dhe anglezë në llogorët e frontit përendimor ranë dakord për armpushim, ndërsa disa të tjerë besojnë që ka pasur edhe episode ku ushtarët e kampeve rivale ditën e Krishtlindjeve luanin futboll mes tyre duke harruar për disa orë luftën.
Në rastin e Ukrainës gjasat janë që luftimet të vijojnë edhe ditën e Krishtlindjeve, Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u shpreh se armëpushimi për Krishtlindjet është një opsion i pamundur në situatën aktuale. Nga ana tjetër edhe ushtarët ukrainas kthimin në familjet e tyre e shohin jo shumë të afërt në kohë, të paktën deri sa të realizohen planet e armpushimit përmes një marrëveshje paqe apo përmes çlirimit të të gjitha territoreve që aktualisht janë në zotërimin e Rusisë, përfshirë edhe gadishullin e Krimesë nga ku nis zanafilla e këtij konflikti në 2014-ën.
Në mbyllje, këto ditë të festave të fundvitit nuk pritet të jenë aspak të paqta sidomos në rajonin e Donbas and Luhansk ku Ukrahina ka nisur një ofensive dhe pas rifreskimit të mbështetjes Amerikane, pritet të shihen rezultatet në fushëbeteje.