Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikës së deputetes demokrate, Flutura Açka e cila e këshilloi të ruante qetësinë. Kreu i qeverisë u shpreh se në momentin që merr vetëm akuza të cilat janë shumë të rënda, detyrohet ta cilësojë si “palaço”.
I gjithë diskutimi lindi pas debatit të ashpër të kryeministrit me deputetin Gazment Bardhi. Në debatin mes tyre nuk munguan ofezat të tipit “Zagar e Palaço”.
“Deri në provë të kundërt kam të drejtë unë. Atij që akuzon i takon ta provojë akuzën. Prandaj unë e përsëris, kush bën këtë është palaço. Ajo e ruajtjes së qetësisë unë nuk e marr. Nuk kam ardhur këtu të ndryshoj veten. Unë e përmirësoj veten në përmirësim të punës. Unë atë që kam e them, mirë keq, përballem me vendimet e mia. Dhe padyshim kur shoh një palaço, i them palaço.
Për çfarë bulëzimi e keni fjalën ju? Se mbase jeni pak letrare dhe jetoni në realitet tjetër. Këtu të thonë të gjithë hajdut. Si ju duket kur ai nongrata del e u thotë këtu çfarë të dojë grave që punojnë këtu. Çfarë është kjo ruaj qetësinë? Atë dekoratën tuaj, mbajeni ne s’marrim dekoratat. Unë s’kam master, as PHD, asgjë asgjë, unë kam letër bojaxhiu.
Unë e njoh Shqipërinë më tepër se të gjithë ju bashkë për arsye të detyrës. Ju kujtoni se shqiptarët janë budallenj, po s’janë shqiptarët budallenj.
Unë kur them vulëhumbur, se kam fjalën për ju (për grupin e Alibeaj) e kam për ata andej (të Berishës), se ata s’kanë vulë.
Unë se pranoj dot akuzat që thotë ai “palaço”. Nëse unë do isha i fshehur pas një kompanie Offshore, unë do isha para drejtësisë jo kryeministër. Mua më thoni çdo epitet, këto janë opinionet. Po hajdut, mafioz, kriminel janë akuza penale. Janë keqbërje. Unë vërtet mund të kem përdorur, një shqipe që shpesh herë shqetëson, se dhe unë njeri i gjallë jam. Por po më gjetët një herë të vetme, qoftë edhe për NonGratën, apo atë që erdhi pas tij që ka humbur (Bashën), nëse më keni gjetur njëherë të kem thënë kriminelë, mafioz. Më thoni dhe unë kërkoj ndjesë.
Se këto nuk janë fyerje, janë skandale verbale!”- tha Rama.