Ditën e sotme, në Ditën Kombëtare të Diasporës u zhvillua mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës, ku i pranishëm është dhe kreu i qeverisë Edi Rama.

Ky i fundit u ndal te amnistia fiskale ku tha se kjo e fundit duhet të ishte bërë më herët pasi garanton formalizimin e të ardhurave të emigrantëve.

“Amnistia fiskale do të garantojë formalizimin e të gjitha të ardhurave nga puna të shqiptarëve në Diasporë. Ekonomia informale nuk është një territor vetëm i vendeve në zhvillim si Shqipëria, por është një zonë që ekziston edhe në vendet e zhvilluara. Puna në të zezë, pagesat në Cash për punë të paregjistruara janë një konstante edhe në vendet e zhvilluara. Kemi arsye dhe raste për ta bërë më në fund këtë hap i cili ka qenë dashur të bëhet prej shumë kohësh”- tha ai.