Argjentinë-Francë do të jetë finalja e madhe e Kupës së Botës Katar 2022, me dy skuadrat që do të sfidohen pasditen e të dielës për të ngritur lart trofeun më të rëndësishëm futbollistik në glob.
Kampionët në fuqi të Botës ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-0 ndaj surprizës së këtij Botërori, Marokut, me këta të fundit që shkruan historinë, duke shkuar deri në gjysmëfinale dhe mund të kthehen krenarë në shtëpi.
Sfida nisi mirë për Francën, që gjeti golin e avantazhit me anë të Theo Hernandez që në minutën e 5-të, ndërsa më pas pati edhe 3 mundësi të mira shënimi me Giroud e Mbappe, por pa arritur t’i konkretizojë.
Nga ana tjetër Maroku u ndal nga Lloris dhe shtylla në dy tentativa në fundin e pjesës së parë. Pjesa e dytë pati shumë nervozizëm dhe pak ritëm, teksa arbitri meksikan u tregua mjaft i kursyer me kartonët për marokenët.
E kur tensioni po rritej, Deschamps hodhi në fushë sulmuesin e Eintracht Frankfurt, Kolo Muani, i cili pas një aksioni të dyshes Thuram-Mbappe, dërgoi topin në rrjetë me prekjen e parë për këtë takim, duke vulosur kualifikimin e Francës në finale.
Të dy finalistet kanë fituar nga dy herë Kupën e Botës dhe mbrëmjen e të dielës do të kërkojnë trofeun e tretë në histori, teksa sytë e të gjithëve do të jenë te dueli në distancë Messi-Mbappe, me njërin prej të cilëve që do të festojë në fund.
Francë – Marok 2-0 (Theo 5′, Kolo Muani 79′)