“Një burrë i ndershëm dhe një baba model.”, kështu e përshkruajnë fqinjët dhe të njohurit 49-vjeçarin shqiptar i cili i u gjet i vdekur mbi dyshemenë e banesës nga bashkëshortja e tij.

Ai është i identifikuar si Petrit Caka, 49-vjeçari punonte murator kur gjente punë pasi ai nuk kishte një punë të përhershme.

Mediat italiane raportojnë se shumë kohë me parë ka pasur precedentë penal, por asnjë serioze.

Gruaja e tij, Dorina u kthye herët atë mëngjes në shtëpi nga puna e saj si pastruese, kur hyri në banesë, ajo e gjeti të shtrirë mbi dysheme të shoqin, pas kësaj njoftoi menjëherë policinë dhe ambulancën. Ata bënë përpjekje për ta sjellë në jetë, por ishte tepër vonë. 49-vjeçari shqiptar kishte marrë plagë të rënda. Në trupin e tij shenjat e qarta të një sulmi brutal, disa mavijosje dhe plagë me thikë edhe në fytyrë.

Atë mëngjes Caka kishte shoqëruar fëmijët e tij në shkollë. Sipas asaj që rikonstruktuan hetuesit, thuhet se atentatorët e kishin pritur kur ai ishte kthyer në shtëpi. Mesa duket 49-vjeçari shqiptar duhet t’i ketë njohur autorët pasi dera e përparme e shtëpisë nuk kishte shenja që të ishte hapur me dhunë.