Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialistem Taulant Balla foli sot për herë të parë në lidhje me historinë e përgjimeve në Elbasan, ku një politikan me emrin “Taulant” rezulton se të ketë pasur lidhje me eksponentë të botës së krimit. Balla deklaroi se për këtë çështje ai ka bërë një padi ndaj të gjithë atyre që e kanë akuzuar atë dhe theksoi se ka besim që nëse drejtësia do t’i shkojë deri në fund, ai do të dalë i pafajshëm.

“Shumë mirë. Fakti që i shkoj vetë drejtësisë dhe i them ta hetojë, standard më të mirë nuk ka. Uroj që çdo politikan të bëjë të njëjtën gjë”, theksoi ai. Disa ditë më parë, Ardian Çapja lëshoi akuza në drejtim të një politikani me emrin Taulant, që sipas tij ka qenë në përgjim për masakrën e 3 shkurtit të 2016-tës. Sipas tij, edhe vrasja e avokatit Ravik Gurra ka ndodhur për shkak se po punonte për zbardhjen e kësaj dosje. “Me avokatin e ndjerë Ravik Gurraj kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtar i lartë me emrin Taulant. Më pas kemi mësuar se me vendim të gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmend sepse më rrezikohet familja. Vrasja e avokatit Ravik Gurra lidhet me masakrën e 3 shkurtit”, dëshmoi Çapja.