Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, “ne duhet të gjejmë një ide sesi përfaqësues nga të 6 parlamentet e Ballkanit Perëndimor të mund të marrin disa vende në Parlamentin Evropian, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet në mënyrë të drejtpërdrejtë”.
Në fjalën e tij në takimin mes drejtuesve të Socialistëve dhe Demokratëve në BE dhe drejtuesve të qeverive/Grupeve Parlamentare të partive progresiste të Ballkanit Perëndimor të mbajtur sot në Vjenë, Taulant Balla u shpreh se, “takimi sot këtu mbahet pas Samitit të Tiranës. Unë nuk e fsheh që jam krenar që ky Samit u mbajt në Tiranë”.
Është historik, tha ai, për faktin që për herë të parë një Samit i Bashkimit Evropian realizohet në një nga kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor”.
Balla nënvizoi se, “tashmë kemi një afat. 2030-a do të jetë afati më i gjatë për të pasur Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Evropian, dhe kjo është diçka e mirë”.
“Evropa është përpara një momenti shumë thelbësor dhe shumë të vështirë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo ka të bëjë me sigurinë e saj, ka të bëjë me vetë vlerat tona, të cilat janë vënë në rrezik”, tha Balla, i cili shtoi se, “Vladimir Putin nuk ka sulmuar vetëm Ukrainën. Ai që mendon kështu nuk është shumë i qartë. Vladimir Putin ka sulmuar vlerat tona, demokracinë tonë dhe për këtë arsye ne duhet të kuptojmë që nuk janë vetëm njerëzit në Ukrainë, të cilët luftojnë për lirinë e tyre dhe për atdheun e tyre, por të gjithë ne evropianët duhet të jemi në solidaritet me Ukrainën, sepse ne duhet të kuptojmë që vlerat tona janë në rrezik”.
“Rusia ka qenë e përfshirë në financimin e partive politike në vendet e tjera. Më shumë se 300 milionë dollarë janë përdorur për sponsorizimin e partive politike në pjesë të tjera të botës. Pse ndodh që asnjë nga familja jonë politike nuk është sponsorizuar nga Putin? Ata që janë kundër nesh janë në fakt në regjistrin e pagave të Putinit”, tha Balla.
Balla shtoi se, “një nga sfidat që ka demokracia jonë në Evropë lidhet me dezinformimin. Ne nuk po luftojmë që të dëgjohen programet tona, por ne më shumë luftojmë për të qartësuar programet tona, apo për të luftuar dezinformimin”.
Balla foli edhe për Procesin e Berlinit dhe iniciativën e Ballkanit të Hapur.
“Ballkani i Hapur është zbatimi në terren i Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit ka qenë një ide e mirë, por impakti dhe zbatimi i tij nuk ka qenë siç duhet në të shkuarën. Ndërkohë që Ballkani i Hapur është implementimi në realitet duke respektuar parimet e BE, që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të njerëzve, të kapitaleve dhe sigurisht ne duhet të punojmë më shumë dhe sigurisht që ky proces të jetë gjithëpërfshirës me qëllim që të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e tij”, u shpreh Balla.
Balla u shpreh se, “në Tiranë kryeministri Rama kërkoi një Program Evropian të Ripërtëritjes, i cili duhet të hartohet. Që në fazat e para do të kemi të bëjmë me rindërtimin e Ukrainës, por duhet të bëjmë dhe ripërtëritjen për të gjithë Europën duke përfshirë këtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Në fund Balla falenderoi grupimin Social-Demokrat duke i cilësuar si gjithmonë në drejtimin e duhur si dhe mbështetës të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të anëtarësimit të Bashkimit Europian.