Zv/kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjsië, Belinda Balluku ka konfirmuar se edhe për muajin dhjetor nuk do të aplikohet fasha energjetike prej 800 kWh. Balluku në një deklaratë për mediat tha se fasha 800 KW/orë për muajt që lamë pas nuk janë aplikuar për shkak të kursimit të energjisë. Ajo kërkoi edhe njëherë angazhimin e qytetarëve për të kursyer energji, pasi është e vetmja mënyrë që fasha të mos aplikohet.
“Qytetarët i janë përgjigjur thirrjes për të kursyer energji, dhe pavarësisht se është vendosur një fashë, ajo nuk është përdorur deri më sot. E gjitha kjo pasi situata është përmirësuar, megjithatë duhet thënë se kursimi në muajt e parë ka qenë një kursim i konsiderueshëm. Në muajin tetor e kemi mbyllur me 7 përqind kursim, ndërsa nëntor vetëm me 2 përqind në rang vendit. Unë dua të kërkoj të gjithë angazhimin tuaj, që të vazhdojmë dhe të kursejmë sepse do të jetë e vetmja mënyrë për të mos vendosur fashën 800 KW/orë. 2 përqind është pak”.
Sa i përket institucioneve zv/kryeministrja tha se është bërë e mundur të kursehet 20 përqind energji elektrike, për muajin Nëntor. Balluku theksoi se “kursimi është çelësi i suksesit tonë. Së bashku duhet ti kthehemi praktikës së mirë në muajin Tetor dhe Shtator. Është e domosdoshme të kemi një target kombëtar prej 5% të paktën për kursim”.