Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Shkrimi është firmosur pas kërkesës së Kryeministrit Rama.
“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, thuhet në dekret.
Pak minuta pas publikimit të dekretit të Presidentit ka reaguar Kryeministri Rama i cili sqaron se në fakt bëhet fjalë për një lirim nga detyra për shkak se Bendo po vijon studimet. Rama thotë se ai do të jetë në vijim këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë.
“Me Helidon Bendon, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen. Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë”, shkruan Rama.
Helidon Bendo është emëruar në detyrën e Drejtorit të SHISH me dekretin e Presidentit në datë 05 nëntor 2018. Bendo është një inspektor karriere, pasi iu bashkua shërbimit inteligjent në vitin 1995. Ai ka një eksperiencë të gjerë në detyra të ndryshme në Aparatin Qendror dhe bazë. Bendo është diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si dhe trajnime të ndryshme brenda e jashtë vendit. Ai është mbajtës i disa vlerësimeve profesionale për kontribut në fushën e sigurisë kombëtare.