Nga Ilir Metaj*
Në asnjë artikulim të drejtuesve të protestës së datës 6, nuk përmendet qëllimi i saj i vërtetë, që në fakt është asgjë tjetër veç:
-të tregojë përpara liderëve europiane prezencën e Sali Berishës dhe Ilir Meta(j) si aktorë të fuqishëm në politikën shqiptare.
Po tentojnë të shfaqen si figura të rëndësishme në politikbërje e ndaj partnerë potencialë që nuk duhen neglizhuar prej Europës.
Duhet t’i sajdisin, pra.
Është stili tipik i këtyre të dyve, që kur demokracia i nxjerr nga skena, të kërkojnë rikthimin me anë të instrumentave të dhunës.
Edhe sikur të mos e kenë llogaritur dhunën fizike në protestën e datës 6 (jam i sigurt se e përjashtojnë jo prej arsyes, por nga frika se çfarë mund t’u kushtojë personalisht), ata, patjetër që llogarisin dhunën psikologjike që mund të krijojë prezenca e turmave mbi një samit të këtij kalibri dhe të kësaj rëndësie per fatin e rajonit, por sidomos për Shqipërinë dhe Kosovën.
Nuk shteron kurrë fantazia e sëmurë e këtyre dy mendjeve diabolike për t’ia nënshtruar fatet e këtij populli fateve të tyre personale.
Shqipëria vuan ende vendimet e mbrapshta të këtyre dy njerëzve, që nga moskthimi i pronave te pronarët, privatizimet skandaloze të pasurive strategjike të nëntokës e mbitokës, mbjellja e qelizave të para të korrupsionit dhe përhapja e tyre si metastaza të shumëfishuara, shkatërrimin e sistemit të drejtësisë e plot të tjera.
Thonë se do i tregojne botës demokracinë dhe të drejtën për të protestuar.
Pikërisht në datën 6.
Po a ka ekran në botë ku nuk janë bërë lajm protestat në sheshet e Shqipërisë? Vështirë të ketë ngelur ndonjë.
Ajo që ekranet e botës nuk harrojnë kollaj, nuk janë protestat paqësore.
Janë protestat e ‘97 dhe 21 janarit, që skuqën rrugët me gjak të pafajshëm e që patën po këta të dy protagonistë.
Njollat e atij gjaku nuk mund t’i lajë asnjë përpjekje retushuese në protestën e re të hallit të vjetër.
Njollat e atij gjaku, janë edhe brenda vendimeve sanksionuese që u kanë bërë këtyre të dyve, partnerët tanë strategjikë.
Njërin të shpallur botërisht dhe tjetrin të injoruar publikisht.
Data 6 do të jetë asgjë e re nga fronti i opozitës.
Ndërsa për Shqipërinë, vetëm lajme të mira nga fronti i Perëndimit.
*Deputet i PS