Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale të tjera momente që përcjellin ngrohtësi festash këtë fundvit, pranë familjeve në nevojë.

Rama ndau momente nga vizita e ministres së Kulturës, Elva Margariti, e cila shpërndau dhuratat për festat e fundvitit për fëmijët e dy familjeve në Kamzë.

“Shtuam gëzimin e festave në familjen Prozllomi, ku urimet dhe dhuratat tona erdhën në kohën e duhur, pasi trinjakët e kësaj familje festojnë 5-vjetorin e tyre të lindjes, ndërkohë që ndamë të tjera dhurata edhe në familjen e Naim Abazit për tre fëmijët e tij të mitur”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se familjet do të përfitojnë nga janari prej programit të ri të mbështetjes për nënat me 3 e më shumë fëmijë, të cilave siç u vendos nga Këshillimi Kombëtar do t’u paguhen nga shteti sigurimet shëndetësore e shoqërore.

Ministrat e kabinetit qeveritar kanë qenë këto ditë festash pranë familjeve në nevojë, duke shpërndarë dhurata për fëmijët.