Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale disa histori nga shqiptarë që janë kthyer nga emigracioni në atdhe. Me rastin e Ditës së Diasporës ai shpreh përuljen me respekt për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë. Po ashtu, kreu i qeverisë shpreh mirënjohje për plot të tjerë që janë kthyer në atdhe për të investuar ato dije që kanë fituar në emigracion bashkë me kursimet.
“Dhe në Ditën e Diasporës me përuljen plot respekt për të gjithë shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë, po edhe me mirënjohjen e admirimin për plot të tjerë që janë kthyer në atdhe për të investuar dijet e fituara bashkë me kursimet në emigracion, duke u bërë shembuj frymëzues suksesi moral e financiar për ata që janë ende jashtë, ju uroj një të diel të bukur”, shkruan Rama.
Po ashtu mësohet se ditën e sotme do të mbahet mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës. Në këtë takim pritet të mbajnë fjalën e tyre Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.