Deputeti i PD, Saimir Korreshi foli për mbledhjen e demokratëve në një tryezë për festat e fundvitit. Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Sot, live në Shqipëri’, Korreshi tha se ishte thyerje akulli pasi u duk sikur deputetët kishin harruar çdo gjë kishin thënë për njëri-tjetrin.
“Njerëzit duan alternativë për t’i besuar. Nëse nuk jemi opozitë solidë, s’ka besim te njerëzit. Ata nguten dhe nuk marrin iniciativa ose na përkrahin. Isha në atë drekë ku isha ftuar nga Xhelal Mziu. Aty ishte grumbullim deputetësh, nuk pati asnjë temë. Uruam një fillim të ri. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që duhet të japim një fillim të ri, por pa kthyer kokën nga e vjetra.
Nuk mund të ndërtosh një shtëpi të re pa e shkulur të vjetër. Ajo ishte thyerje akulli. Pamë kolegët që janë sharë e çfarë nuk kanë thënë për njëri-tjetrin dhe ajo drekë sikur i sheshoi të gjitha. E keqja nuk harrohet kollaj. Është e vështirë për t’u harruar”, tha Korreshi.
Po ashtu u shpreh se nuk u fol në asnjë moment për bashkimin e PD, por për çështje nga më të ndryshmet ndërsa nuk mungoi humori.
“Kur shkuam neve, ishte i pozicionuar dhe kishte largësi nga mënyra se si ishin vendosur tavolinat. I kishin ndarë sipas përkatësive. Ne ishim si shoqëria e vjetër, na kishin lënë të dera. Ndarjen e ka bërë Mziu, ai ishte dhëndri, e bëri dasmën. Nuk u fol në asnjë moment, dëshira e deputetëve nuk lindi aty por është gjithandej. Ishte drekë me historira nga Lufta e Dytë Botërore por jo për bashkimin”, tha Korreshi.
Sa i përket mungesës së Alibeajt, Korreshi e cilësoi diçka normale duke qenë se ka pasur përplasje të vazhdueshme me Berishën dhe është sulmuar vazhdimisht si i shitur te Rama.
“Nëse ka një njeri që është etiketuar fort është Alibeaj dhe Basha. Nëse dikush do fliste në atë mënyrë për mua, as do e çoja ndërmend të shkoja në një eveniment të tillë, kështu që është zgjedhjet. Kur të arrin sharja në palcë, ruaje pak dinjitetin e cipën.
Ai mendoj se e ka të vështirë që të vijë për drekë. Do e kishte më të lehtë të ulej në tavolinë për bashkim real se të ulej për drekë. Të gjithë ata sikur e kishin shtypur butonin e pultit ‘mute’ dhe ne nuk e kuptonim a janë këta apo jo”, tha Korreshi.