Një dron ukrainas ka sulmuar bazën ajrore ruse Engels, në rajonin e Saratovit, të Rusisë. Kur pjesët e dronit po rrëzoheshin, 3 ushtarë rusë u plagosën rëndë dhe për pasojë humbën jetën. Lajmi është bërë i ditur nga agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes ruse.
“Më 26 dhjetor, rreth orës 1:35 me orën e Moskës, një avion ukrainas pa pilot u rrëzua në lartësi të ulët, ndërsa po afrohej në aeroportin ushtarak Engels në rajonin e Saratovit. Si pasojë e rënies së rrënojave të dronit, tre ushtarakë rusë nga stafi teknik që ndodheshin në aeroport u plagosën për vdekje”, tha Ministria e Mbrojtjes ruse, e cila shtoi se pajisjet e aviacionit nuk u dëmtuan.