Nga Denis Dyrnaja
Me shpejtësinë e erës po qarkullon nëpër mediat online lajmi se kreu i ri i sapozgjedhur i Prokurorisë së Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit Altin Dumani, jeton në një apartament të ndërtuar me parafabrikat. Ka patur plot gjyqtarë e prokurorë në të shkuarën e afërt që bënin një jetë modeste me makina shumë të thjeshta, madje udhëtonin edhe në këmbë për të mos rënë në sy, por hetimet zbuluan pasuri marramendëse të tyre, që kryesisht pretendonin se i kishin të dhuruara nga fisi ose bashkëfamiljarët bujarë, që çuditërisht nuk i donin për vete prona e para cash, por kishin vendosur t’i ndanin pikërisht me të afërmit e tyre. Altruizëm i paparë.
Për çudi ky fenomen dhurimi ishte specifikisht i përhapur vetëm në këto dy kategori në Shqipëri, prokurorë e gjyqtarë, se pjesa tjetër dërrmuese e shqiptarëve janë pikërisht nëpër gjykata për sherret që kanë mes tyre posaçërisht se nuk i falin gramin e pasurisë njëri tjetrit. Paradoks më vete dhe ky. E kanë qenë pikërisht këta njerëz te drejtësisë, pra kolegët e z Dumani që duhej t’iu jepnin drejtim këtyre mosmarrëveshjeve pasurore shpesh degraduar edhe me sherre fatale për jetën, ndërkohë që vetë kishin prekur parajsën e fatit me familjarë zemërmëdhenj që iu dhuronin atyre troje, apartamente, vila e para cash si shprehje dashurie fisnore. Por le t’i kthehemi aktualitetit.
Duke marrë të mirëqenë faktin se vërtet kreu i SPAK-ut z Dumani jeton në mënyrë modeste dhe pa salltanetet e “zullumqarëve të hershëm dhe rishtarë” të drejtësisë, prova e ndershmërisë, integritetit të tij nuk është fakti se ku jeton, por se si punon. Pra çfarë rezultatesh do të ketë si prokuror dhe drejtues i SPAK-ut.
P.sh kolegët gazetarë kanë marrë informacion se ku banon z Dumani dhe lajmi që jeton në një apartament modest po përhapet me shpejtësi. Por do ishte më produktive sikur kolegët të hapnin dosjet e çështjeve të prokurorit Dumani. Aty p.sh mund të gjenden raste korrupsioni të pretenduara nga z Dumani për shuma banale deri në 1 ml lekë të vjetra që janë regjistruar si çështje të suksesshme. Por nuk do gjeni dot ndonjë hetim ministri ose ish ministri të korruptuar.
Nuk do gjeni ndonjë çështje të përfunduar në këto 3 vjet me vendim të formës së prerë konfiskimi pasuror për shumë prokurorë apo gjykatës me vila, pasuri e para të thata, pra përballje me kolegët e tij të korruptuar. Kjo na thotë se z. Dumani deri tani duket se ka mbyllur njërin sy, ose ligji është përdorur në mënyrë selektive.
Është pikërisht kjo prova e ndershmërisë, nisja e ndëshkimit të ligjit nga miqtë e kolegët e korruptuar të tij në nivele të larta në politikë e drejtësi. Se pas 3 vjetësh kur të ketë mbaruar mandatin si kryetar i Prokurorisë së Posaçme, nuk do bëjmë statistikat e parafabrikatit ku banon e si jeton. Shqiptarët kanë 30 vjet që dëgjojnë llogje e demagogji me heronj e mite fals për beteja kundër korrupsionit, që i krijojnë dhe rrëzojnë po vetë në fund.
Përtej paragjykimit z Dumani jo si kryetar i SPAK-ut, por si një prej prokurorëve të kësaj strukture të posaçme hetimore të tregojë me fakte e prova reale se përpara ligjit janë të barabartë të gjithë. Dhe këtë duhet ta nisë me kolegët dhe ish kolegët e tij të kamur në sistemin e drejtësisë me paratë e hallexhinjve të gjykatave dhe me politikanë e shtetarë të korruptuar për të cilët SPAK-u është krijuar.
Faktet janë aty të kamufluara ose jo. Detyrë e z Damami dhe e bashkëpunëtorëve të tij në SPAK, është të na provojë se profesionalisht janë të aftë të zbulojnë si u bënë të pasur ish-kolegët e tij, shumica e të cilëve mbaruan shkolla duke jetuar me sakrifica në konvikte e shtëpi me qira, me pamundësi ekstreme për t’u veshur e ushqyer e sot kanë saraje e pasuri marramendëse në kryeqytet e bregdet.
Duartrokitjet zakonisht vijnë në fund të shfaqjes jo në fillim të saj ndaj t’i rezervojmë ato për pas 3 vjetësh. Shfaqja për z Dumani sapo ka filluar…të shohim nëse do t’i meritojë ato. Paraardhësi i tij erdhi në krye të SPAK, pa dhe iku në qetësi. A do të jetë dhe z Dumani njëjtë si ai?!