Vladimir Putini po mbahet gjallë nga mjekët e huaj, pavarësisht të gjitha sanksioneve të vendosura nga Perëndimi ndaj tij dhe regjimit. Kështu bëri të ditur një ekspert rus, raporton Daily Mail.
Sipas tij, mjekët po përdorin trajtimet më të fundit perëndimore për të shënjestruar kancerin e tij dhe për të penguar përhapjen.
Megjithatë, Valery Solovey tha se Putini me shumë gjasë është në vitin e fundit në pushtet.
“Mund të them se pa trajtimin e huaj, ai përfundimisht nuk do të ishte më në jetën publike në Federatën Ruse,” tha historiani dhe analisti politik.
“Kjo është absolutisht e sigurt. Ai po përdor trajtimet më të avancuara dhe terapitë më të mira, të cilat Rusia nuk ia siguron dot. Mund të them se trajtimi ka qenë shumë i suksesshëm”.
Më herët ka pasur raportime se ilaçet e Putinit janë blerë në Izrael.
Pavarësisht kësaj, mjekët e pranojnë se edhe pse kura është e suksesshme, nuk ka asnjë mjekim që mund të jetë pafundësisht i suksesshëm dhe fundi i tij është afër.
Eksperti thotë se plani i Putinit është që kur të mos jetë më në pushtet, ta dorëzojë atë te ministri pak i njohur i agrikulturës, Dmitry Patrushev, 45 vjeç, djali i një prej miqve të tij më të besuar, Nikolai Patrushev, ish-drejtuesi anti-perëndimor i FSB dhe një nga arkitektët e luftës në Ukrainë.
Një tjetër pasues i mundshëm është edhe Alexei Dyumin, ish-truprojë i Putinit dhe ish-zëvendësministër i Mbrojtjes.