Familja e Gentian Isait ka hapur dyert e mortit. Përveç dhimbjes për humbjen në moshën 32-vjeçare të njeriut të tyre të dashur, ata presin të mësojnë edhe për shkaqet që çuan në vdekjen e të riut. 32-vjeçari humbi jetën të premten pasi prej disa ditë vuante nga dhëmballa.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Kagjinasi të Kolonjës. I riu humbi jetën disa orë pasi kishte marrë mjekim tek një dentist në Ersekë.

Familjarët e tij thonë se presin përgjigjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të dalë në përfundimin se përse vdiq 23-vjeçari. Babai i Gertit shprehet ai nuk kishte vuajtur nga ndonjë sëmundje e se nuk kishte marrë ndonjëherë antibiotikë. Ai tregon se i biri kishte disa ditë që kishte probleme me dhëmballën, e cila ishte enjtur deri në pjesën e qafës.

“Djali prej 3 ditësh kishte dhimbje dhëmballe dhe ka shkuar te dentisti në qytetin e Ersekës. Dy ditë më parë djali shkoi e mjekoi dhëmballën, por kishte përsëri dhimbje dhe shkoi përsëri dje paradite.

Dhimbja e dhëmballës i kishte shkaktuar enjtje dhe kishte dhimbje të saj. Mjeku i ka dhënë disa ilaçe dhe ai i ka pirë. Dje djali pasi ka ardhur në shtëpi është shtirë dhe e gjetëm në orën 4 në gjendje të fikëti.

Menjëherë e kemi nisur me një mjet drejt Ersekës. Kur shkuam në spital doktori me tha se djali kishte vdekur. Nuk e di nëse ka qenë mjekim i gabuar apo erdhi nga zoti”, tha mes të tjerash babai i tij, Dashamir Isai.

Ndërsa kushërira e 32-vjeçarit tregon se një prej ilaçeve e kishte pirë përpara se të vinte në shtëpi, ku kishte ardhur i djersitur dhe i këputur.

“Çfarë ndodhi? Thjeshtë vuajti nga dhëmballa, shkoi tek dentisti, i vuri pak ilaç ditën e parë, ditën e hënë, pas asaj shkoi prap dje, i kishte dhënë dentisti ilaçet, shkoi i mori në farmaci.

Një pluhur e kishte pirë që në Ersekë, ajo i kishte dhënë djersë shumë. Kur erdhi në shtëpi ishte i këputur, i pafuqishëm. Në atë moment pastaj, duke ardhur vërdallë kështu, shkoi u shtri, mbaroi… Këtë që kishte pirë ishte Ibuprofen pluhur. Pjesën tjetër nuk i pamë sepse i mori policia, nuk e di”.

Shkaku i vdekjes së 32-vjeçarit dyshohet të jetë niveli i lartë i infeksionit në gjak dhe organe, shkaktuar nga mosmjekimi në kohë i dhëmballës. Megjithatë konkluzionin përfundimtar do ta japë mjekësia ligjore.