Erion Veliaj në konferencën për ndërtimet në Tirana ka folur edhe për akuzat e opozitës për burimin e parave të ndërtimeve në kryeqytet duke theksuar se këto akuza janë pa bazë.

“Kam 7 vjet që e them: ‘Më thoni kush i pastron paratë?’. Në dallim nga të gjithë tahmaqarët nëpër televizione, që nuk guxojnë t’i thonë emrat e oligarkëve sepse sigurisht, pas emisionit u thonë ‘shefi të ruajta’, unë jam gati t’i them: Kulla e Inter Continental-it është e Ram Gecit. A pastron para Ram Geci, se ai e ka Inter Continental? Kulla tjetër është e Arlis Construction, e cila sapo ka lidhur kontratë me Hotel Grand Melia. A pastron para grupi i hoteleve Grand Melia nga Spanja? Nëse pastron, dikush duhet ta thotë. Idajeti, te stadiumi Arena Kombëtare ka hotelin Marriott. A pastron para grupi Marriott? Grupi tjetër, Kastrati, ka Hayat dhe Hilton. Po këta pastrojnë para? Pra, të bërit si spekulant, kur ti nuk guxon t’i thuash emrat – unë jo vetëm që i them emrat, por ua kam dhjetëfishuar taksën atyre, sepse nuk bëjmë dot shkolla si “Sami Frashëri” me lekët e gjysheve dhe pensionistëve. Por, bëhet duke taksuar të gjithë këta. Secila kullë paguan nga 3-5 milionë euro taksë. E fitova ketë betejë në Gjykatën Kushtetuese dhe jam shumë krenar për këtë, por është më e ndershme t’i thuash emrin, t’i çosh edhe faturën e taksës. Ju pëlqen, s’ju pëlqen, këto janë rregullat e qytetit. Histeria kolektive për ndërtimet në Tiranë duhet të marrë fund”, sqaroi Veliaj. Kryebashkiaku adresoi edhe çështjen e akuzave që qarkullojnë për ndërtimet në monumentet kulturore, për të cilat Veliaj tha se nuk ka asnjë rast të tillë.

“Monumentet e kulturës i cakton një ent publik i Ministrisë së Kulturës me përfaqësues nga të gjithë profesionistët. Thonë se po ndërtohen kulla te një monument kulture. Po tek cili monument? Ende nuk kam dëgjuar njeri ta thotë këtë. Por, jo çdo shtëpi qerpiçi është shpallur monument kulture. Madje, nëse një ndërtesë është monument kulture ti nuk bën dot aplikimin në sistem për të marrë leje. Në qoftë se një tirons i vjetër thotë: ‘hajde, mor ti analist, zbrit nga banaku i televizorit dhe jeto ti në qerpiç dhe po vij unë te Rolling Hills, të jetoj unë aty’, e keni vënë re se asnjë nuk e ndërron shtëpinë se të gjithë analistët duan të jetojnë ku është moderniteti, aksesi, ku është luksi? Asnjë nuk do të jetojë te qerpiçi dhe tironsi thotë: ‘Për sa kohë që shtëpia ime është qerpiç, që nuk është monument kulture – UNESCO noterizoi Xhubletën, por jo qerpiçin – atëherë secili duhet të ketë të drejtë të zhvillohet”, përfundoi Veliaj.