Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në një përgjigje për “Klan Kosova”, kanë thënë se ata nuk kanë as mandat dhe as aftësi për të kryer operacionin e largmit të barrikadave në pjesën veriore të Kosovës. Fillimisht nga EULEX-i është thënë se “të gjitha barrikadat janë të paligjshme” dhe si të tilla “janë të papranueshme dhe duhet të hiqen menjëherë” teksa kanë shtuar se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë shqetësuese dhe e tensionuar.
Për më tepër, ata theksuan se në zonat me shumicë serbe ka prani shqetësuese të individëve dhe grupeve të armatosura e të maskuara. “Të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe ato pengojnë lirinë e lëvizjes si dhe gëzimin e të drejtave të tjera themelore të njeriut. Ne dëshirojmë të ripërsërisim mesazhin e Përfaqësuesit të Lartë [Josep] Borrell se barrikadat nuk janë të pranueshme dhe duhet të hiqen menjëherë”.
“Megjithatë, siç ka përmendur Shefi i Misionit tonë në një intervistë të fundit, EULEX-i nuk ka as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat”, njoftuan nga EULEX-i. Tutje, nga EULEX-i kanë thënë se tani është e rëndësishme që situata të shtensionohet menjëherë dhe palët të përmbahen nga veprimet provokuese. “Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, siguria e së cilës është në rrezik për shkak të situatës aktuale”.
“EULEX-i mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë përmes një numri dukshëm të shtuar të patrullave, duke përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan”, thuhet mestjerash në përgjigjen e EULEX-it.
Ndryshe, EULEX-i sipas mandatit, funksionet operacionale i merr nga Shtylla Operative e Misionit e cila mban kapacitet të kufizuar si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë dhe ofron mbështetje të vazhdueshme për Policinë e Kosovës.