Nga Klevi Hyka/
“Fjalët janë forca më e fuqishme në dispozicion për njerëzimin. Fjalët kanë energji dhe fuqi, kanë aftësi për të ndihmuar, për të shëruar ose për të lënduar, për të poshtëruar dhe përulur”. – Yehuda Berg (autor përparimtar i botës shpirtërore të njerëzimit).
Jetojmë në shekullin 21! E ku ka më të fuqishme se forca e fjalës?? Bota tashmë i ka kaluar periudhat e dhunshme ku gjërat zgjidheshin fizikisht e jo me diplomaci e verbalisht. Sot, përkundrazi, fjala është mjeti kryesor në marrëdhëniet midis njerëzve e në arritjen e të drejtave dhe pikësynimeve që i vendosim vetvetes.
Të jesh “i fortë” me fjalë, orator i zoti, apo ndryshe të kërkosh të drejtën tënde, pra të ngresh zërin, bën të mundur arritjen e qëllimeve dhe kurrsesi nuk të bën të paedukatë apo jo të sjellshëm, gjithmonë kur e gjykon se ke të drejtë dhe se duhet të kërkosh një ndryshim. Shohim se nganjëherë fjalët e shumta janë të tepërta, pra nuk mund të quajmë një orator të zoti dikë që flet pafund e që as vetë nuk e di ç’po thotë në fund të ligjërimit, por mund të quajmë të zotë atë që i gjen këto fjalë kaq perfekte dhe përcjell gjithë mesazhin me një aforizëm.
Pyetja lind… E si ta ngrejmë zërin për të kërkuar të drejtën e për të plotësuar synimet tona?? Situata është e tillë: Ndihemi sikur na është shkelur e drejta, gjaku fillon të pompohet më shpejt, zemra fillon të rrahë me ritme jo të zakonshme e mushkëritë fillojnë të punojnë mbi kapacitetin normal. Ç’duhet të bëjmë? Të çohemi e të ulërasim, pasi kjo është ajo ç’na vjen më shpejt ndër mend?! Fiks në këtë moment duhet të fillojmë të pyesim veten. Duhet ta pyesim veten e ta vëmë përballë çdo fakti e çdo rrethane, që së pari të arrijmë në përfundimin se a na është shkelur realisht e drejta, apo ishte një konceptim i nxituar momental? Pasi të kemi vërtetuar këtë shkelje, në mendjen tonë duhet të përgatisim argumentat për të mbrojtur vetveten, pasi përndryshe, nëse do të flisnim kuturu, jo vetëm që nuk do të arrinim në një “fitore”, por as nuk do të merrte mundimin kush të na dëgjonte.
Shpeshherë vëmë re se mund të mos jenë duke na dëgjuar, ama dhe në këtë rast, gjithnjë duhet ruajtur gjakftohtësia dhe duhet të veprojmë gjithnjë sipas arsyes e jo sipas gjykimit të pasaktë momental, që në mjaft raste na shtyn drejt gabimeve e gjithashtu drejt lindjes së konfikteve. Për të kërkuar sa më qartë të drejtën tonë, duhet të kemi parasysh gjithnjë që të mos kursehemi për tu shprehur, pra të mbrojmë mendimin tonë deri në fund, padyshim, me argumenta bindës e të arsyetueshëm, në të kundërt do të ishte e pavlerë dhe humbje kohe të kërkonim diçka joprezente e jo të konceptueshme, pa u bazuar diku.
Të qenit orator i zoti na ndihmon shumë edhe pse mjaft e përdorin këtë zotësi për të përfituar ndoshta dhe ndaj dikujt që nuk e zotëron, e duke e bërë kështu t’i lindë ndjenja e inferioritetit përballë shoqërisë, duke mos pasur mundësi të justifikimit të vetes. Këto janë raste të cilat do të “nxehnin” gjithkënd dhe për të mos arritur në diçka të tillë, secili prej nesh duhet të ruajë caqet e tij, duke mos e tepruar me forcën e fjalës, siç duket, që nganjëherë të vret e të ul më shumë se çdo forcë tjetër.
Nuk dua ta lë pa përmendur dhe shtrembërimin e fjalës sot, ku adoleshentët, por jo vetëm, nuk dinë ta përdorin peshën që ka fjala e tyre, për përfitime vetjake apo arsye madhore, por përkundrazi për të bërë thashetheme kafeneve, fjalë boshe e të pavlefshme gjëkundi. Nëse të gjithë do bënin sadopak përpjekje për ndryshim, për të përmirësuar cilësinë e diskutimeve dhe ta bënin këtë bisedë kualitative, do rritej dhe niveli i respektimit të mendimeve dhe fjalës së të gjithëve, ndryshe nga ç’shohim, ku shpeshherë një “injorant e imoral” me ngritjen e zërit më lartë, bën tjetrin (të mbushur me argumenta), të mos ketë mundësi të flasë, e të duket i dobti në sytë e “budallenjve të shoqërisë”. Përsa i përket kësaj teme, ju këshilloj që të mos përfshiheni në këto diskutime jo të barabarta, apo dhe nëse përfshiheni t’i kërkoni paraprakisht fjalën, e nëse ju ndërpresin, ngrijeni dhe ju zërin, pasi vetëm kështu do e kuptonin se sa e rëndësishme është respektimi i fjalës së tjetrit e kështu do tregonit realisht se sa peshë ka fjala juaj!