Zëvëndëskryeministrja, Belinda Ballaku, vizitoi këtë të premte, në prag të ditës së ndërrimit të viteve, aeroportin Nënë Tereza.

Gjatë inspektimit, Balluku bëri me dije se pritet të ketë një fluks të shtuar të udhëtarëve gjatë orëve që vijojnë, ku numri i pasagjerëve që do të kalojnë përmes aeroportit pritet të jetë 15 mijë.

Zv. kryeministrja nënvizoi gjithashtu se shtimi i kapaciteteve në aeroport, me ndërtimin e terminalit të ri ka bërë që edhe pse do të ketë shifra të shtuar të udhëtarëve, në pikat e kontrolleve dhe të daljes nuk ka radhë apo ndonjë problematikë tjetër.

“Jemi në aeroportin internacional të Rinasit dhe jemi një ditë përpara përfundimit të vitit, data 30 dhjetor dhe presim 15 mijë pasagjerë. Ajo që është më e rëndësishmja për tu theksuar është se sivjet kemi arritur të kemi terminalin e ri dhe teksa po inspektojmë, edhe te siguria edhe te portat e daljes pavarësisht se janë 15 mijë pasagjerë, udhëtarë që do nuk shohim që të ketë as radhë as problematikë dhe kjo vjen për shkak të shtimit të kapaciteve”, tha Balluku.