Sekretari i Përgjithshëm i PS-së priti në një takim anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës që kanë ardhur në Tiranë.

Në takim u diskutua për mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të tyre të origjinës dhe shqiptarëve kudo ku ata ndodhen.

Në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri u shpreh se, kjo ishtë “një mundësi e shkëlqyer për të ndarë mendime dhe për përpjekjet që po bëhen për vënien në jetë të së drejtës së ushtrimit të votës nga shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, një premtim e angazhim ky i Partisë Socialiste”.

“Pavarësisht debatit politik, ne kemi gjithë kohën e nevojshme tani për ta arritur në zgjedhjet e përgjithshme. Jam i bindur që të gjitha palët janë dakord që vota të jetë tashmë një realitet edhe për emigrantët të cilët vijojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomi dhe zhvillimin e vendit”, u shpreh Gjiknuri.

“Por për t’ia arritur këtë, natyrshëm, duhet punë edhe për sensibilizimin e qytetarëve, që jetojnë jashtë Shqipërisë për t’u regjistruar, duke deklaruar adresat e tyre për të bërë të mundur më pas ushtrimin e votës”, theksoi Gjiknuri.