Konfiskohen pasuritë e Eduart Xhezos i cili ndodhet në burg për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj në Vlorë. GJKKO ka sekuestruar 4 automjete në pronësi të tij dhe vilën e tij.

Njoftimi i prokurorisë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 29.12.2022, shqyrtoi çështjen e regjistruar me nr. 199 akti, datë 30.11.2022, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/subjekti E.Xh., ndaj vendimit nr. 21/106, datë 13.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur: “1. Konfiskimin e pasurisë së llojit automjet i markës “Range Rover”, me targë {…}, me ngjyrë gri, me numër shasie “{…}”, blerë në datën 3.1.2019 në Vlorë, në shumën 25.000 euro, të sekuestruar me urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 61, datë 6.5.2020 dhe të vleftësuar më pas me vendimin nr. 48, datë 26.05.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Heqjen e masës së sëkuestros për pasuritë e llojit:
– Automjet i markës “Mercedez Benz 970”, me targë faktike të shtetasit H.Xh., blerë në datën 30.03.2018, kundrejt shumës 420 mijë lëkë, në pronësi legale të shtetasit U.T. pasi nuk është bërë ndryshimi i pronësisë.

– Automjet i markës “Toyota Land Cruiser”, me targë {…}, me numër shasie “{…}”, i vitprodhimit 2010.

– Automjet i markës “Iveco Fiat”, me targë {…}, me numër shasie {…}.

– Pasuria e llojit Godinë Shërbimi 3 kate, me nr. {…}, zk. {…}, Bashkia Vlorë, e sekuestruar me vendimin nr. 219, datë 28.12.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Urdhërohet sekretaria gjyqësore që me marrjen formë të prerë të këtij vendimi brenda 24 orëve, t’i dërgojë një kopje të tij Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Brendshme.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Kundër këtij vendimi komunikohet e drejta e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sa më lart, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 21/106, datë 13.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.