Gjykata i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës për prishjen e pallatit nr. 4, të dëmtuar nga termeti në rrugën “Myslym Keta”, pasi ishte ne rrezik shembjeje, duke rrezuar pretendimet e PD dhe Kelliçit.

Më herët, Instituti i Ndërtimit, i cili është institucioni që bën vlerësimin dhe ekspertizën teknike për sigurinë e një ndërtese që konsiderohet e dëmtuar, dhe që ka vlerësuar të gjithë pallatet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, rikonfirmoi nëpërmjet një shkrese që mbante datën 15 dhjetor 2022, se Pallati Nr.4 në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, paraqet rrezik të lartë për banorët dhe duhet shembur.

Të gjitha familjet e pallatit të dëmtuar përfitojnë shtëpi në apartamentet e reja në lagjen “5 Maji”, si dhe trajtohen prej disa muajsh me bonusin e qirasë deri në hyrjen në banesë.

Ndërkaq, 30 familje janë vendosur tashmë në shtëpitë e tyre të reja, ndërsa pjesa e mbetur pritet të sistemohen së shpejti.