Në datën 14 dhjetor 2022 ka hyrë në fuqi, përmes botimit në fletoren zyrtare, Marrëveshja Financiare IPA 2021, miratuar me VKM nr. 765, datë 12.12.2022, prej së cilës Shqipëria do të përfitojë një shumë prej 64.9 milionë euro grante në fushat e drejtësisë, mjedisit dhe novacionit. Më konkretisht, projekti BE për Drejtësinë synon të mbështesë autoritetet shqiptare përmes investimeve kyçe të synuara dhe ngritjes së kapaciteteve në zbatimin e reformës, me fokus të veçantë në rritjen e efikasitetit dhe transparencës së sistemit të drejtësisë dhe përmirësimin e mëtejshëm të profesionalizmit në vendosjen e drejtësisë për qytetarët.

Gjithashtu, projekti BE për të drejtat e pronësisë – faza II, do të vijojë aktivitetet e tij përmes përmirësimit të të dhënave hapësinore dhe informacionit për të drejtat ligjore të pronësisë, të cilat do të korrigjohen, përditësohen dhe bëhen të aksesueshme për publikun, ri-ndërtimit të shërbimeve publike kadastrale shtetërore dhe veprimet përgatitore për ngritjen e sistemit të monitorimit të tokave bujqësore, të bazuar në parcelat e tokës sipas standardeve të BE-së.

Ndërkohë, projekti BE për ekonominë qarkulluese dhe rritjen e gjelbër, së bashku me projektin BE për natyrën, do të kontribuojnë në përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit, zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe rritjes së qëndrueshme të gjelbër në Shqipëri, si dhe përafrimin e politikës së Shqipërisë për ruajtjen e natyrës me kërkesat e BE-së, me fokus të veçantë në zbatimin e direktivave të shpendëve dhe habitateve. Projekti BE për novacionin – Faza II, do të mbështesë Shqipërinë për të përshpejtuar transformimin drejt një ekonomie më të orientuar nga inovacioni dhe të bazuar në njohuri, duke zhbllokuar kapitalin e saj njerëzor dhe potencialin sipërmarrës, e në këtë mënyrë duke rritur konkurrencën e saj.