Nga Jakin Marena
Opozita është mbërthyer nga një krizë alternativash e idesh, që shuan të gjitha shpresat se mund të rikthejnë ndonjëherë një garë dinjitoze me kundërshtarin politik, Edi Ramën dhe PS.
Ndonëse po arrin vitin e dhjetë në opozitë në pushtetin qëndror, dhe nuk mbahet mend sa vite ka në opozitë në pushtetin vendor, ende partitë e opozitës nuk po gjejnë një kauzë të qëndrueshme, e cila mund të godasë sadopak elektoratin, sidomos atë ‘gri’, apo të nxjerrë ndonjë figurë potente e politikisht të “përtypshme”, rreth të cilës të mblidhen të gjithë ata që kërkojnë një alternativë të re, si në çdo vend të rajonit apo të botës.
Opozita shqiptare e drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta po “jepet” ndjeshëm pas kauzave spontane, e përkthyer kjo më thjeshtë, kapet me çfarë t’i dalë përpara. Ndërkohë që përsëritin e ripërsëritin të njejtat deklarata, sikurse kanë bërë për 32 vite me radhë.
Në gojën e Berishës por dhe të Metës nuk “ngjit” në asnjë moment akuza ndaj qeverisjes së PS, si një qeveri pasardhëse e Partisë Komuniste apo evokimi i ngjarjeve të fillimit të viteve ’90, me deklarata të tipit “do t’i përmbysim bijtë sikurse përmbysëm etërit e tyre”.
E themi këtë sepse komunizmi ka vdekur në Shqipëri. Ka mbaruar me kohë dhe me vakt, pasi është brezi i dytë që po rritet pa asnjë “gram” komunizëm brenda. Për më tepër që gjasat janë që komunisti i fundit që ka mbetur në Shqipëri është Sali Berisha, pikërisht udhëheqësi i grupimit më të madh opozitar, “Rithemelimit”, pjesë e PD-së së ndarë në dy pjesë e që feston dhe themelimin e saj po e ndarë në dy pjesë, e me mesazhe diametralisht të kundërta.
Berisha me ikjet dhe rikthimet e tij, për 32 vite me radhë, u prezantohet shqiptarëve me të njejtat deklarata, me të njejtën filozofi dhe me të njëjtat premtime, a thua nuk ka qënë asnjëherë në këtë vend, dhe më keq akoma, duke fyer inteligjencën e shqiptarëve me deklaratat që përcjell.
Kanë kaluar 32 vite, dhe Berisha s’mund të zgjojë ‘sentimentin’ anti-Rama tek shqiptarët, në mënyrë që ta votojnë opozitën duke bërë si një anti-komunist i thekur, kur dihet fare mirë se vetë Berisha erdhi në krye të PD nga ‘dera e pasme’ e ish presidentit të fundit komunist, Ramiz Alia.
Ndërkohë që tashmë pyetja që po “lodh” të gjithë shqiptarët është se kush e solli demokracinë në Shqipëri, pasi është kthyer në legjendë urbane ky fakt dhe shumica e shqiptarëve ndajnë të njejtin mendim se shembja e komunizmit dhe lindja e të parës parti opozitare në Shqipëri ishte e komanduar nga Ramiz Alia. Për më tepër që gjithë kjo kakofoni qëndrimesh për këtë fakt na kujton parreshtur legjendën e moçme: “Kush e solli Doruntinën”!
Dhe aleati i Berishës në frontin opozitar Ilir Meta është i pabesueshëm në akuzat e tij kundër qeverisjes socialiste, për metoda komuniste drejtimi. Nuk është se “pi ujë” për shkak të akuzave, jemi në këtë kuadër përderisa s’ka një vendim përfundimtar, se kreu i PL dhe ish presidenti i vendit, ka qënë ish bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit. Pra i ka shërbyer atij regjimi.
Njëherësh as akuzat për korrupsion, të artikuluara nga Berisha dhe Meta nuk krijojnë impakt tek qytetarët, pasi kreu i “Rithemelimit” është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë dhe lidhje me grupet kriminale. Ndërkohë që bashkë me Metën, kanë mbi 8 dosje për korrupsion të theksuar në SPAK. Në perceptimin e shqiptarëve ata janë “nëna dhe baba” i korrupsionit.
As akuzat ndaj Ramës dhe qeverisë socialiste për tradhëti kombëtare për shërbim ndaj Serbisë e Rusisë s’ngjisin, pasi Berisha me prova dhe fakte është akuzuar se ka qënë “bythe e brekë” me Beogradin që në krye të herës, kur furnizoi me naftë e armë në thyerje të embargos së OKB Milosheviçin, përndoqi veprimtarët për çlirim të Kosovës, duke përfunduar me veprime të tjera pro Serbisë, që nga miratimi i rezolutës kundër UÇK për trafik organesh në Strasburg, e deri tek financimi rus prej gjysmë milioni euro për të rrëzuar qeverinë shqiptare dhe destabilizuar vendin e rajonin për interes të Kremlinit.
Por dhe Meta është nën akuzë, e deklaruar nga Hashim Thaçi, se bashkë me ish kryeministrin e ndjerë serb Zoran Xhinxhiç, kishin në plan ndarjen e Kosovës dhe për pasojë Meta në emër të të dyve ia ka paraqitur planin ish Presidentit të Kosovës, refuzimi i të cilit ishte kategorik. Madje dhe e denoncoi publikisht. Pra të dy e kanë bërë “baltë” me tentativat për destabilizim në Shqipëri, sa herë që kanë pasur hall Beogradi e Moska, dhe sa herë që këtyre vendeve ua ka lypur nevoja për të një çikë destabilizim dhe transferuar hallin e tyre në Shqipëri, për ndonjë tensionim të mundshëm.
Pra nëse shohim tërë rrugëtimin e Berishës dhe Metës, në aksionin e tyre opozitar, shohim me sy të lirë se përtej strategjisë së forcës që promovojnë të dy liderët e opozitës, me “thyerje të mes të Ramës”, “goditje me të parën më të fortit”, me “largimin me uragan të Ramës nga pushteti”, apo “lebetitjen e tij”, e vërteta e kulluar është se dy liderët e opozitës aktuale vijojnë të kapen pas kauzave spontane dhe të çastit, domethënë “me çfarë u kap dora rrugës”.
Eshtë mjerues fakti që dhe pas 6 dhjetorit, teksa Berisha dhe Meta dolën në bulevard për të protestuar kundër Ramës, pikërisht ditën e samitit të përbashkët të liderëve të BE me ata të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, nuk arritën që të “ngjisin” tek shqiptarët. E themi këtë sepse, megjithë kohën në dispozicion dhe promovimin e përditshëm, nxorën në bulevard më pak se 1500 mbështetës nga rrethet sidomos, pasi Tirana nuk e mbështeti fare, për të “komunikuar direkt nga bulevardi me liderët e BE për keqqeverisjen e regjimit të Edi Ramës”.
Ishte një protestë e “vobektë” ajo e opozitës më 6 dhjetor, e cila do të përfundonte si e tillë, nëse nuk do të dilte një i sëmurë mendor, që duke shfrytëzuar paaftësinë e truprojave të liderit të “Rithemelimit”, shpërtheu murin e “sigurisë” dhe goditi me grusht në fytyrë Sali Berishën.
Pra i sëmuri mendor Gerti Shehu bëri të pamendueshmen, goditi Sali Berishën, duke cënuar paprekshmërinë e liderit “suprem” të grupimit më të madh në PD, pikërisht njeriun që për 32 vite me radhë ka promovuar dhunën, ka ushtruar dhunën dhe ka dhunuar cilindo ka ‘llogaritur’ si kundërshtar, pa u përballur asnjëherë me drejtësinë apo pa hasur në ndonjë kunddërshtar të ngjashëm me të. Nënvizojmë se ende nuk e ka gjetur një kundërshtar të tillë politik që ta ketë përballë e të bëjë “xing” me të, në “fushën” që njeh më mirë, atë të promovimit dhe të ushtrimit të dhunës.
Për të gjithë ata që janë të bindur apo e kalojnë nëpër mend ndonjëherë, sipas pozicionit të “lëvizshëm’ politik që marrin duke kaluar herë në një anë e herë në një anë tjetër, se Berisha nuk është një politikan i dhunës, mjafton të kujtojë dhunën në Libofshë më 1994, zhdukjen e Remzi Hoxhës në Kune Vain-Lezhë, dhunën në zgjedhjet e 26 majit e protestën e 28 majit të vitit 1996, dhunën ndaj Edi Ramës më ‘97 dhe masakrën e tragjedisë së marsit 1997, rrahjen e gazetarëve, grushtin e dështuar të shtetit më 1998, sulmin ndaj komisariateve të policisë dhe kryeministrisë më 2000, dhunën e ushtruar gjatë qeverisjes së dytë, me pikë kulmore “Gërdecin” e “21 janarin”.
Por të kujtojë dhe dhunën e mëvonshme pas vitit 2013, atë me pagesë themi, në vitet 2017, 2018 dhe 2019 kur u dogjën mandatet, bojkotuan zgjedhjet vendore dhe u sulmuan institucionet, duke çuar vendin në prag të destabilitetit, për një grusht para dhe qëndrimit në listë-pagesën e Kremlinit.
Këtu bën pjesë dhe thirrja e Berishës për armatosjen e popullsisë në mes të Kuvendit, për të përmbysur qeverinë e Ramës, apo “kapjen e sfurçeve dhe sopatave” për të rrëzuar qeverinë, një thirrje kjo e bërë nga Ilir Meta. Një strategji dhune, me të cilën janë rritur shqiptarët, dhe që kanë lënë shenjë tek ata, e për pasojë dhe i sëmuri mendor, 31 vjeçari Gerti Shehu që qëlloi me grusht Berishën duke e gjakosur atë, me sa duket është ndikuar ndjeshëm nga kjo gjuhë dhune.
Jemi kategorikisht kundër dhunës, qoftë dhe ndaj politikanëve dhe personi në fjalë, ndonëse u rrah për vdekje nga truprojat e Berishës, që u kujtuan pas “pilafit” të reagonin duke marrë ‘hak’ për liderin e gjakosur për shkak të paaftësisë së tyre, pavarësisht se është zyrtarisht i sëmurë mendor, duhet të marrë atë që meriton nga organet e drejtësisë. Dhe mjekim të rregullt, kuptohet.
Por ne si shqiptarë na shqetëson një fakt. Në vend që grushti i dhënë nga ky i sëmurë mendor të shërbente si element bazë për të miratuar një ligj që ky kontigjent të mbahej nën kontroll të rreptë mjekësor, që truprojat të bënin detyrën dhe që partitë politike të jenë të kujdesshme në protestat e tyre, pasi mund të destabilizojnë vendin, grushti mbi fytyrën e Berishës më 6 dhjetor po përdoret si kauzë politike nga opozita. Eshtë e dhimbshme kjo. Pasi opozita po përdoret për hallin e Berishës dhe kundër Perëndimit, dhe kundër gjysmës zyrtare të PD dhe për grushtin e një të sëmuri mendor.
Në vend që Berisha, si i moshuar që është, por dhe si një malësor safi siç pretendon se është në karakter, t’i përmbahej asaj që ka deklaruar më parë se “e fal të sëmurin mendor që e goditi”, e të mbledhë kockat pasi për moshën që ka pritet t’i flasë mendja dhe jo forca, po akuzon mbarë e mbrapsht Edi Ramën si ekzekutor të rrahjes së tij. Me sa duket, mendon që mund ta kalojë poshtërimin që iu bë si malësor duke e rrahur tani më moshë tepër të thyer në mes të publikut, aq më tepër nga një i sëmurë mendor, thjeshtë e vetëm duke ngritur “stekën” e akuzave deri tek Rama, si ‘dhunues’!
Hajde merre vesh se si një politikan si Edi Rama që kërkon vetëm vëmendje në aktin më të madh të jetës së tij politike, por dhe të Shqipërisë, teksa mblodhi bashkë në Tiranë 27 liderët e BE, që nga Macron, Scholz e Meloni, e deri te liderët e rajonit, të urdhërojë dhunimin e Sali Berishës, njeriut që e ka “aset” politik dhe garant të fitores në çdo palë zgjedhje, sa kohë të jetë ai në krye. Pra për ta pasur kështu sagllam, pa asnjë gërvishtje, madje dhe duke e ruajtur si “flori” dhe “ujin e paktë”.
E kanë thënë dhe nga opozita, se Rama ishte njeriu i fundit që e donte një sherr të tillë në 6 dhjetor, ditën e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, dhe një mendje normale nuk e mendon që të prishë ndokush “dasmën” e vet. Por Berisha nuk ndalet në akuzat ndaj tij, madje ka ngritur dhe një kauzë për këtë, duke angazhuar mbështetës në politikë e në media për ta përcjellë sa më shumë te publiku. I cili vijon të qëndrojë indiferent. Sheh meme-t që dolën pas grushtit në fytyrën e Berishës në fakt, kalojnë ditën me këto.
Për më tepër që Berisha s’lë promovim libri apo takim strukturash të “Rithemelimit” pa marrë pjesë, ku me “luk” të ndryshuar për shkak të syzeve të diellit që përdor tashmë për të mbuluar “vragën” e goditjes nga i sëmuri mendor në protestën e 6 dhjetorit, nuk i rresht së promovuari teoritë konspirative, për implikim të Ramës, shërbimeve sekrete të huaja, armiqve shekullorë të Shqipërisë e deri “klubi i krishterë” i Samitit të liderëve të BE në Tiranë, apo grupet islamike të Erdogan, të cilët paskan qënë të interesuar për rrahjen e tij.
Madje e kanë realizuar sipas tij, këtë rrahje të gjithë bashkë. Paska me një fjalë, sipas mendjes së Berishës, një konspiracion ndërkombëtar, për të rrahur kreun e “rithemelimit”, i cili për hir të së vërtetës është një i mbaruar politikisht dhe nuk jep askush madje as dorën. Pse të merren me të!
Ajo që mund të themi në fund të herës është se opozita është e “rrahur” që në “shpërgëj” nga Berisha dhe nuk e merr veten kurrë politikisht me këtë mënyrë drejtimi, e për më tepër me këtë dyshe të rikthyer nga “varri” politik që e drejton. Nuk ngre as ul rrahja e Berishës, për rritje apo ulje votash. Në këtë gjendje që është, Rama fiton akoma më thellë në çdo përballje elektorale.
Por përdorimi si kauzë e grushtit të një të sëmuri mendor në fytyrën e liderit të “Rithemelimit” nga opozita tregon qartë se nuk pretendohet më për pushtet, por bëhet opozitë vetëm për hallin e liderit, që të qëndrojë në krye të grupimit më të madh të PD. Eshtë e dhimbshme të përdoret si kauzë rrahja e liderit të këtij grupimi politik. Thjeshtë mund të sjellë ndonjë klikim për mediat, por për hir të së vërtetës, me gjithë “pompimin’ e saj në emisionet e shumta televizive apo në mediat sociale, dhe ky interes ka rënë tashmë. Tregon vetëm gjendjen ku ka rënë opozita.
Nëse liderët e opozitës kërkojnë vërtet rezultat më 14 maj, duhet të fillojnë fushatën që tani, janë shumë vonë, pasi grushti i të sëmurit mendor në fytyrën e Berishës nuk sjell asnjë kokërr vote. Thjeshtë mund të shkojë deri tek mëshira, pasi është rrahur një 80 vjeçar në mes të bulevardit. Pjesa tjetër është debat interneti, sidomos nga ata që jetojnë jashtë dhe nuk votojnë në Shqipëri, për tifozllëk apo për të shtyrë kohën pas punës. Ndaj themi që dhe kjo “kauzë” e Berishës, i cili nuk mund të shpikë vetëveten pas 32 viteve në politikë, pushtet e opozitë, dhe në moshën 80 vjeçare, në mos e vdekur kjo kauzë ka lindur e rrahur.