Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sandër Simoni, Arqilea Koça, Fuat Vjerdha dhe Engert Pëllumbi janë 6 emrat që janë zgjedhur deri tani si anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2023. Sipas ligjit kryetari i ri do të jetë Sandër Simoni si përfaqësues i Gjykatës së Lartë.
Pak javë më parë Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dërguan në Institucionin e Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas këtyre organeve plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në short.
Në KED zgjidhen 2 anëtarë nga Gjykata Kushtetuese (Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj), 1 përfaqësues i Gjykatës së Lartë (Sandër Simoni), 1 përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme (Arqilea Koça), 2 përfaqësues nga Gjykatat e Apelit (Fuat Vjerdha dhe Engert Pëllumbi), 2 përfaqësues të Prokurorive të Apelit, 1 përfaqësues nga Gjykatat Administrative.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ kolegjial, i përbërë nga 9 anëtarë me një mandat 1 vjeçar dhe është përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Gjykata e Lartë siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative dhe financiare për realizimin e funksioneve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme, për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky Këshilli shqyrton dhe i rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme
Organet e emërtesës, Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, emërojnë dhe zgjedhin gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese ndërmjet tre kandidateve të renditur në tri vendet e para nga Këshilli. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Lartë të drejtësisë ndërmjet pesë kandidatëve të renditur në pesë vendet e para nga Këshilli. Në rastin kur këto organe të emërtesës nuk arrijnë të emërojnë dhe zgjedhin kandidatin, i emëruar në detyrë është kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Emrat e zgjedhur dhe ato zëvendësues deri tani:
Gjykata Kushtetuese:
Anëtarë Fjona Papajorgji dhe Altin Binaj! Vitore Tusha anëtare zëvendësuese
Gjykata e Lartë:
Sandër Simoni anëtar, Albana Boksi zëvendësuese
Prokuroria e Përgjithshme:
Arqilea Koça anëtar, Alma Muça zëvendësuese
Gjykatat e Apelit:
Fuat Vjerdha dhe Engert Pëllumbi anëtarë, Genti Shala zëvendësues.