Viti 2023 do të jetë i mbarë dhe ka si kryefjalë ekonominë. Në parashikimin e yjeve për vitin 2023, Meri Shehu thotë në “Rudina” në Tv Klan se shenjat do të përjetojnë ndryshime e sfida të forta, por do të shijojnë pjesën e parë të vitit ku kanë mundësi të mira përfitimi.

2023 nis me Mërkurin dhe Marsin në prapavijë, ndaj deri në datën 18 Janar do ndihemi të lodhur e më pas do të jemi më energjikë. Vera do të ketë ngatërresa, sidomos në dashuri për shkak të Afërditës në prapavijë në shenjën e Luanit ndaj priten ngjarje të forta në këtë fushë të jetës. Edhe nga ana numerologjike, shton në fund astrologia e njohur, 23 është një numër i mbarë dhe do atmosfera në tërësi do jetë më pozitive se viti që po lëmë pas.

12. Demi

Para se të futet Jupiteri në shenjën e Demit, është në Dash dhe në shtëpinë e 12-të kështu që Demët duhet të dalin nga kjo metodë e punës së tyre në heshtje, të frikësuar, medituese, të paqartë se çfarë do bëjnë me punën, pak të bllokuar në mënyrën dhe mendimet e veta. Kur të futet pastaj pas Majit, Jupiteri në Dem çlirohen, por është një “çlirim i skllevërve” dhe ka shumë gjëra për të bërë dhe nuk ndjehen të zotët e gjithçkaje. Urani në këto 3 vjet i ka tronditur Demët, kemi dëgjuar tërmete, kriza ushqimore, sëmundje dhe i ka dhënë këto tronditjet më shumë te ta. Kur të futet Jupiteri në Dem, këta duhet ta marrin seriozisht në çështjen e ndryshimeve të tyre në jetë. Mund të ndodhë që Jupiteri të bëjë akoma më shumë ndryshime që nuk do t’i donin. Saturni në Peshk na mbron, është në një shenjë uji me Demin, kështu që gjërat nuk do të shkojnë fare jashtë kontrollit dhe janë mirë. Por duhet të kenë parasysh që Jupiteri në një shenjë sjell ndryshime të mëdha, por Urani ka bërë një punë të çuditshme, ka ngatërruar shumë gjëra aty kështu që Jupiteri ose do punojë mbi ato gjëra dhe s’do bëjë diçka të mirë, ose do bëjë shumë punë që të arrijë atje ku duhet.

11. Binjakët

Janë një nga shenjat që do preken direkt nga Saturni në Peshk dhe do preken shumë me çështje të karrierës. Karriera do jetë në fokus të gjithë vitit 2023 që nga Marsi ndaj ose do marrin më shumë përgjegjësi, do bëhen më seriozë, por u duhet të dalin nga natyrshmëria e tyre. Do jetë një vit përgjegjësish ndaj janë në këtë pozicion. Jupiteri në Dem i fut në kuadrin që gjërat që duan thellësisht do i mbajnë brenda vetes për një vit tjetër për të çliruar dëshriat e tyre të brendshme. Është një vit përgjegjësish, martesash, karriere që shumë Binjakë duhet ta shikojnë me vëmendje sepse vendimet që merren tani zgjasin në kohë ose janë mësime jete që duhet t’i shikojnë me shumë kujdes.

10. Gaforrja

Deri në Prill mund të kenë shansin të ekuilibrojnë çështjet e punës, karrierës dhe të jetës personale. Në verë Afërdita e kundërt në Luan do t’iu sjellë disa trazira në çështjet ekonomike që ato çfarë kanë fituar mund të mos jenë më të sigurta ose të shkojnë e të vijnë dhe të krijohet një lëmsh i madh ekonomik ose në jetën personale kështu që duhet të shohin mirë çfarë investimesh do bëjnë në verë, të jenë më të kujdesshme dhe mos t’i bëjnë kështu pa qenë të sigurt për të vepruar. Megjithatë, Gaforret do kenë shumë kontakte me jashtë,por edhe çështje ligjore që duhet t’i mbyllin. Nga dy ose më shumë vite më përpara rikthehet një çështje ligjore së cilës Saturni në Peshk ia jep këtë tendencë ose do merren shumë me marrëdhëniet jashtë vendit. Në to nuk janë ata që vendosin, por Saturni, ligji, kushtëzimi, shumë detyrime ndaj dhe janë mirë, por nuk kanë lirinë për të bërë gjërat siç duan ata me ndjenjë, pasion e emocion, janë të kushtëzuar në veprimet e tyre.

9. Bricjapi

Bricjapët janë në një vit erotik, të mirë, kanë lajme të mira sidomos pas Prillit e më tej. Sado që Jupiteri hyn në Dem dhe është Urani e gjërat janë të paqëndrueshme, Bricjapët do bëjnë fëmijë, një biznes personal, do kenë një art në veten e tyre, një plan krijues. Të gjitha këto do t’i realizojnë me sukses pas Majit 2023. Saturni në Peshk iu jep një avantazh që të kenë një strategji, të jenë më të përgjegjshëm në gjërat që thonë dhe mos të jenë të rrëmbyer. Do kushtëzohen në planet dhe projektet e tyre, do ecin ngadalë, nuk do bëjnë hapa gjigandë, por mjafton që do ecin.

8. Luani

Afërdita në periudhën e verës hyn në shenjën e tyre, i jep gjithë shkëlqimin që duan Luanët, por kthehet në prapavijë. Një verë me Afërditën në të kundërt do të thotë që kthehen njerëz nga e kaluara, kthehemi te e kaluara, ngatërrohemi me ish-partnerët, bëjmë zgjedhje të reja, por të gabuara dhe mund të kemi një konfuzion në jetën e tyre personale, shijet e tyre ose nëse merren me modë e art, mund të kthehen pas, të mos kenë vlerësimet e duhura dhe mos të marrin adhurimin që kanë nevojë Luanët. Në çështjet ekonomike do kenë një pengesë, do duan të marrin një trashëgimi të madhe por me shumë kushte ose do iu vendoset një kusht shumë i madh para se të marrin para nga të tjerët. Saturni i fut në një përgjegjësi të madhe në çështjet e mëdha ekonomike, pasuri, trashëgimi të rëndësishme. Lidhur me punën, mund të kenë punë pak të vështira, të lodhshme, jo punë të lehta për t’u bërë dhe duhet ta besojnë shumë atë punën që ta bëjnë. Kur them duhet ta besojnë, Saturni bëhet pak admirues i besimeve të çuditshme që Luanët duhet t’i përshtaten që të ecin. Kujdes me shëndetin.

7. Peshorja

Kanë një fillim viti të këndshëm, Jupiteri përballë shenjës së tyre i fton në fejesa e martesa për ata që presin diçka të tillë. Ata që janë martuar mund të bëjnë një fëmijë ose të rinovojnë kushtet e martesës, të ndjehen më mirë me partnerin ose ata çifte që kanë problematika, mund të ndahen sepse Jupiteri është i përballë. Çështjet ligjore do shkojnë e vijnë te Peshoret. Janë nën lupën e çështjeve ligjore, kundërshtimeve e kundërshtarëve, por janë në këtë pozicion sepse ekonomikisht do marrin një famë, mbështetje, mundësi pas Majit. Paratë nisin të rrjedhin lumë te Peshoret dhe mund të jenë një nga shenjat më të favorizuara ekonomikisht. Do jenë shumë erotikë, shumë ngacmues, flirtues me Afërditën në Luan kështu që gjatë verës mos i besoni fare Peshoreve se nuk i dihet se ku ju nxjerrin.

6. Virgjëresha

Janë në mesin e artë dhe këtë duhet ta shohin me dashamirësi sepse Saturni del përballë shenjës së tyre. Shumë Virgjëresha do futen në bashkëpunime të rëndësishme, disa në martesa, disa në projekte me shumë kërkesa llogarie, por disa mund të martohen edhe me një burrë shumë dominant ose që është gjithmonë ai kryetari i çdo gjëje. Do vihen në provë në fushën e marrëdhënieve me të tjerët. Ajo që do shohin me kujdes është fusha e jetës personale gjatë verës. Afërdita e kundërt mund të tregojë që shumë Virgjëresha nuk do ndihen të sigurta në jetën erotike. Disa mund të ‘tradhtojnë’, të tradhtohen, por nuk do ndihen shumë të qeta në këtë aspekt. E sigurt është që do rregullojnë shumë jetën e tyre personale dhe kjo është e padiskutueshme. Jupiteri në Dash deri në Maj 2023 do t’iu sjellë para. Është periudha më e mirë për të mbledhur para dhe për të pasur fat me paratë, ndaj le ta shijojnë. Pastaj fillojnë akoma më mirë gjërat me Jupiterin në Dem sepse është shenjë Toke në shenjë Toke, por vetëm për Virgjëreshat që e kalojnë këtë përballje në jetën personale në fushën e marrëdhënieve, mund të kemi lindje fëmijësh, fejesa e martesa, gëzime shumë të mëdha. Flasim për ngjarje shumë të rëndësishme.

5. Akrepi

Është një nga shenjat e qëndrueshme që do preket nga Plutoni në Ujor sepse ndikon në kryqin e këtyre shenjave: Ujor, Luan, Akrep dhe Dem për 20 vitet e ardhshme. Është një nga shenjat që do futet në këtë trajektoren e teknologjisë edhe pse nuk është fare shenjë e tillë sepse është instinktive, e ndjenjave e pasioneve, teknologjia nuk është pjesë e jetës, por do detyrohet të përshtatet. Shumë Akrepë do fillojnë punë me teknologjinë, me internetin, shkencën dhe do përfshihen në të. Ajo që do shohim është fusha erotike ku do preken fuqishëm e do vihen në provë sepse Saturni në Peshk i prek pikërisht në çështjet e romancës. Kjo nuk do jetë e lehtë për ta, por do i stabilizojë diku. Ata që kanë vuajtur para 28 vjetësh ose ata që janë të rinj tashmë në këtë moshë, diku kapen dhe vihen përballë një sfide të fortë, një ndjenje të fortë, por që duhet të besojnë shumë dhe ta mbajnë këtë gjë. Do merren shumë edhe me çështjet e fëmijëve. Jupiteri në Dem përballë shenjës së tyre pas Majit i thërret për fejesa e martesa ose ndarje e divorce të mëdha. Megjithatë, edhe këtu kemi shumë gjëra për të dëgjuar. Afërdita në Luan në prapavijë, lidhur me karrierën do bëjë shumë ulje e ngritje të çuditshme gjatë verës dhe do shohim ngjarje të tilla për Akrepin në këtë aspekt.

4. Ujori

Në Mars hyn Plutoni në shenjën e tyre, do rrijë rreth 3 muaj dhe më pas vjen në 2024 për të qëndruar 20 vjet. Gjithë karakteristikat tuaja do fuqizohen nga Plutoni në shenjën tuaj, por për këtë vit do fejoheni, martoheni, do ikni jashtë, do kërkoni një partner të largët që do ta gjeni dhe do jetë ideali. Teknologjia do luajë një rol të madh në shenjën e Ujorëve, shkenca, studimet që kanë të bëjnë me teknologjinë, internetin, çdo gjë që nuk është tokësore, por që ka të bëjë me intelektin e zgjuarsinë e tyre. Jupiteri në Dem i thërret për një karrierë ose shtëpi që e duan, por do ndryshojnë bazë, do ikin në vende të tjera, do bëjnë një shtëpi të tyre ose do bashkëjetojnë me dikë tjetër.

3. Peshqit

E fillojnë ekonomikisht mirë vitin 2023 sepse Jupiteri në Dash i jep tërë avantazhin që të rregullojnë çështjet ekonomike, pastaj fillojnë futen në strategji. Këto do jenë tokësore, romantike deri diku dhe materialiste, do ndihmohen nga Jupiteri në Dem për të bërë gjëra të këndshme. Saturni në shenjën e tyre në Mars i bën më të përgjegjshëm, nuk do marrin vendime pa u menduar mirë, do ndodhë diçka e rëndësishme në jetën e tyre sepse është një vit karmik për ta. Një njeri, një punë, një profesion, një fëmijë që do i bëjë të mendohen fuqishëm. Nuk flasim më për Peshq trutharë, por me përvojë që do i bëjë të zgjuar ose do u japë sharmin e shansin të ecin përpara.

2. Shigjetari

Do lozin, do kënaqen, do flirtojnë të gjithë muajt e pranverës që për ta do jetë shumë e këndshme. Pastaj do merren shumë me punën, do kenë punë, do lëvizin, do ndryshojnë punë, do kërkojnë por ajo do jetë strumbullari i çdo gjëje. Përderisa do ketë shumë punë dhe jeta e tyre nuk do jetë monotone, pas qejfit do i hyjnë një dedikimi. Çështjet ligjore duhen marrë me kujdes sepse Shigjetari është një nga shenjat e kryqit të lëvizshëm që preket nga Saturni në çështjet e shtëpisë. Kjo do të thotë se do vendosin për bashkëjetesa, do marrin një shtëpi e do investojnë, do kenë probleme me të moshuarit që kanë në shtëpi, do kenë më shumë punë ndaj tyre dhe do marrin më shumë përgjegjësi, por kjo do jetë pjesa ku do vihen në provë. Baza, shtëpia, bashkëjetesa, marrëdhëniet me familjarët dhe investimi i një shtëpie. Vera do jetë shumë e çuditshme me Afërditën në Luan, shumë erotike, por shumë e ngatërruar. Në qoftë se nuk do ngatërrohen aq shumë sa mos të zgjidhen dot më, atëherë do ia dalin mbanë.

Dashi

Nëse Dashët e kanë marrë mësimin dhe nuk na fusin në luftë në 2023, atëherë e meritojnë vendin e parë. E kanë në dorë sepse Jupiteri në Dash në fillimin e 2023-it është shumë i flaktë, shumë energjik, ka të bëjë me paratë. Nëse deri në Maj që ai qëndron në shenjën e tyre, ata vetëpërmbahen dhe e përdorin forcën e tyre për art, sport, makina, gjëra të bukura, për të krijuar, për të dhënë ngjyra, për të bërë modë, për të ndihmuar, edhe pse nuk para e bëjnë sepse hiqen si bamirës, por janë njerëzit me zemrën më të ftohtë. Nëse ne shpëtojmë nga energjia e Dashit dhe nuk futemi nëpër luftëra, atëherë do shijojmë gjithë pasionin, ngjyrën, artin, madhështinë e lekëve, flirtet, dashurinë, do kemi një pranverë të mrekullueshme, një fillim viti të mrekullueshëm. Ky do jetë viti më ekonomik për Dashët sepse Jupiteri në Dem është vit ekonomik dhe Dashët do ta ndiejnë të parët. Jupiteri në Dem sjell baza të mëdha ekonomike, por takohet me Uranin dhe detyrimisht mund të kemi disa përplasje ose paqëndrueshmëri të mëdha.

“Mos të harrojmë që ky vit futet me dy planetë të kundërt, Marsi i kundërt në Binjak dhe Mërkuri, që shumë njerëz do i gjejë të lodhur. Mërkuri futet në datën 29 dhe Marsi ka rreth 1 muaj i kundërt në Binjak dhe kjo lodhje do vazhdojë deri më 18 Janar. Më pas uroj që të gjithë të gjejmë qetësinë, harmoninë, të mos marrin vendime të nxituara, të mos prekemi nga kundërshtia e planetëve sa të kalojmë këtë pjesë pak të lodhshme. Sapo të kalojë do bëhemi më mirë, më vitalë, më të ndjeshëm, më të zgjuar, më të besueshëm dhe gjërat do fillojnë të ecin më mirë”, përfundon astrologia.