Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen e IKMT-së për prishjen e një objekti në ‘Prestige Resort’. Kreu i qeverisë u shpreh se është shkelur ligji dhe masat janë ndërmarrë në raport me shkeljet e ligjit.
‘Zonjë është mirë që kur diskutojmë për çështje që lidhje me ligjin të njihemi me ligjin me procedurat ti mësojmë mirë ato për të mos bërë spekulime dhe pastaj për të mos ngritur akuza mbi bazë gjysmë të vërteta. Masat për ndërtimet që bëhen në shkelje të lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi janë shumë të qarta në ligj dhe janë të përshkallëzuar në ligj. Në varësi nga niveli i shkeljes janë masat. Lexoni ligjin me shumë vëmendje dhe mos të nxirrni konkluzione në premisa të gabuara.’- u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit Rama, askush nuk do të guxjë që të bëjë të fortin me ligjin.
‘Unë s’jam polic as inspektor. Detyrat në këtë vend janë të ndara, nuk ka asnjë shans që institucionet e këtij vendi cilado qofshin të godasin si pa leje ndërtimet që janë me leje. Kur e kam nisur këtë proces kanë nënqeshur. Unë e kam bërë të qartë që ky është një proces shumë serioz në respekt të pronës private apo publike. Janë 15 vendime konfiskimi, s’janë as një as dy, janë për një numër të konsiderueshme të atyre që quhen oligarkë që thonë se kanë lidhje me qeverinë. Po s’janë oligarkë kur u konfiskohen pronat që kanë abuzuar për qëllim fitimi. Është një proces që vë kapak përfundimisht dhe s’ka për të guxuar më askush të bëjë të fortin me ligjin, apo që të përdori çdolloj statusi. Natyrisht çdokush ka të drejtën e tij të bëjë viktimën por këtu është ligji dhe s’ka gjë mbi të.’- tha Rama.