Davide Pecorelli, italiani 47-vjeçar që u bë i famshëm në Shqipëri pasi sajoi për vdekjen e tij, tashmë është në pranga nga autoritetet italiane dhe do të ekstradohet në Tiranë. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria që në tetorin e vitit të kaluar. Nga hetimet e Policisë së Perugias ka rezultuar se, në janar 2021, Pecorelli për të shmangur borxhet financiare të kontraktuara në Itali, i kishte vënë flakën në fshatin Rras të Shqipërisë, një makine të marrë me qira, brenda së cilës ai kishte futur mbetje të eshtrave njerëzore për të simuluar vdekjen e tij.
Më pas, ai u gjet i gjallë më 17.09.2021, në ishullin Montecristo (Itali). Aktet e shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar i janë dërguar Prokurorit të Përgjithshëm të Perugias dhe arrestimi do të vërtetohet nga Gjykata e Apelit e Perugias këtë të hënë.
Prokuroria e Pukës mbylli hetimet 2 muaj më parë dhe e akuzon italianin për 5 vepra penale: Akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrim” në bashkëpunim, neni 143/3-25 të Kodit Penal, për veprën penale të “Dhunimi i varreve” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 118-25 i Kodit Penal, për veprën penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 301-25 të Kodit Penal, për veprën panele të “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 151/2-25 i Kodit Penal, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Davide Pecorelli u zhduk në janar të 2021 Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznes menin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë. Kur të gjithë e dinin të vdekur, biznesmeni italian Davide Pecorelli, u shfaq për mrekulli shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe “historinë” se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur.
“Po kërkoja një thesar”, tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij. Me itinerarin nga Rinasi drejt Shkodrës e më pas në Pukë ai humbi gjurmët, duke djegur brenda automjetit një skelet të cilin rezulton se e ka marrë duke dëmtuar një varrë në varrezat e Pukës. Për disa javë ky u bë lajmi që shqetësoi hetuesit mes Italisë e Shqipërisë ku një grup i posaçëm zbarkoi në Pukë. Por teksa hetimet ishin në vijim, rezultoi se eshtrat e gjetura në automjetin e djegur model “skoda” i përkisnin një tjetër AND-je dhe jo pemës gjenetike të familjes Pecorelli.
Në lidhje me rastin hetimet janë të hapura në Prokurorinë e Pukës për disa shtetas të tjerë që dyshohet se bashkëpunuan dhe ndihmuan Pecorellin të inskenonte krimin që do e përdorte për të shmangur borxhet dhe fituar nga siguracioni i jetës.