Në Iran, një protestues i dytë, Majidreza Rahnavard, u ekzekutua mëngjesin e sotëm në Mashhad, me akuzën për vrasjen e dy basijistëve, anëtarë të forcës paraushtarake të themeluar nga Ayatollah Khomeini. Sipas Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut, të paktën 488 njerëz janë vrarë që nga fillimi i demonstratave në mesin e shtatorit. 18,200 persona të tjerë u arrestuan nga autoritetet.
Rahnawad ishte një mundës profesionist 23-vjeçar, i dënuar për therjen me thikë të dy anëtarëve të forcave iraniane të sigurisë gjatë protestave në nëntor. Pasi arriti të arratisej, ai u arrestua dhe u dënua më 3 dhjetor nga prokurori i provincës Khorasan.
Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, Rannawad u rrah rëndë në paraburgim, aq sa pësoi një thyerje të krahut gjatë arrestimit. Ai u ekspozua më vonë në TV shtetëror duke rrëfyer për vrasjet, sipas vëzhguesve dhe aktivistëve nën presionin e autoriteteve.
Ky është i burgosuri i dytë i ekzekutuar në lidhje me mobilizimin e dhunshëm popullor që shpërtheu pas vdekjes së Mahsa Aminit. Javën e kaluar, autoritetet iraniane njoftuan ekzekutimin e Mohsen Shekarit, i cili u shpall fajtor për luftime dhe tërheqjen e “armës së tij me qëllim për të vrarë, duke shkaktuar terror dhe për të prishur rendin dhe sigurinë e shoqërisë”.