Një prej zërave më kundërshtues dhe kontestues të procesit të ‘Primareve’ të PD-së së Sali Berishës ishte kandidati në Kamëz, Shemsi Prençi. Ai deklaroi nuk e njeh procesin e primareve për shkak të parregullsive në listat e votimit pasi rreth 50% e anëtarësisë së Partisë Demokratike nuk e kishte emrin në listat e votimit, madje emrat e disa prej votuesve përsëriten disa herë.

Dhe pas kësaj deklarate ai mesa duket nuk e ka gjetur më veten në partinë e Berishës. Shemsi Prençi së fundmi është parë bnë krah të Enkelejd Alibeajt, siç tregojnë fotot e fundit nga një takim që drejtuesi i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar në Kamzë me kandidatin për këtë bashki, Bilbil Bajraktarin.

Fotot nga takimi i ka shpërndarë vetë Alibeja i cili shkruan se kandidati i tij do të jetë fitues në zgjedhjet e 14 majit.

“Takim i ngrohtë dhe miqësor me demokratët e Kamzës dhe Paskuqanit, me shpresën dhe besimin e ndryshimit të nevojshëm jo vetëm për Kamzën, por në gjithë vendin. Dhe këtë ndryshim mund ta sjellim vetëm ne. Zgjidhjen nuk mund ta presim nga jashtë, padyshim që prej tyre presim mbështetjen dhe modelet e duhura. Por jemi ne ata që duhet të bashkohemi e të gjejmë zgjidhjet. Zgjidhje që vijnë nga njerëz me reputacion, njerëz me vizion, pro perëndimorë, të ndershëm e mbi të gjitha me dinjitet e parime, pikërisht si kandidati me të cilin Partia Demokratike do të garojë për Kamzën, z.Bilbil Bajraktari. Kryefjalë në të gjithë Bashkitë e Shqipërisë është papunësia, mungesa e investimit dhe rendit publik. E sidomos plaga më e madhe mbetet shpopullimi. Familjet janë të përgjysmuara, e ato që kanë mbetur, janë të pashpresa. Jemi të bindur se së bashku mund t’ia dalim që ti kthejmë pushtetin e tyre qytetarëve të bashkisë Kamëz”, ka shkruar Alibeaj.

Nga fotot vihet re se fjalën e ka marrë edhe Shemsi Prençi.