Edhe në kohë krize, FIFA nuk kursen asnjë shpenzim. Edicioni I Kupës së Botës Katar 2022 do të jetë më i shtrenjti ndonjëherë dhe do t’u garantojë 32 federatave të ardhura të papara, prej plot 411.8 milionë euro që do të shpërndahen sipas rezultateve të marra, kundrejt 322 milionë që u dhanë në 2018-ën.

Kombëtarja fituese do të marrë në shtëpi 40.2 milionë, 8 më shumë se Franca në Rusi 2018. Hyrja në finale kap vlerën e 28.5 milionë eurove dhe lojtarët francezë janë duke buzëqeshur, pasi federata e tyre do të rishpërndajë, sipas traditës, 30% të “fitimit” për lojtarët dhe stafin kryesor. Nëse Franca konfirmon vendin e saj në krye të botës të dielën, secili anëtar i skuadrës do të marrë rreth 400,000 euro.