Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot deklaroi se e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.
KFOR-i shtoi se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe kjo çështje të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse sipas KFOR-it, dhuna nuk ka vend në rajon.
“KFOR- i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.”, bëri të ditur KFOR-i.
Ndryshe, situata e përgjithshme në veri të vendit mbetet e njëjtë. Rrugët në drejtim të kufijve Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të bllokuara, ndërsa dyqanet dhe shkollat në veri të vendit po qëndrojnë të mbyllura.