Kryeministri Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për finalistët e konkursit të pikturës “Shqipëria ime”, organizuar nga Ministria e Arsimit për të gjithë nxënësit nga çdo shkollë e vendit.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se: “ Unë kam qenë edhe mësues pikture, pedagog në Akademinë e Arteve dhe nuk e kam harruar këtë pjesë të jetës profesionale dhe mund të them që te pikturat tuaja që i kam parë me shumë kërshëri, realisht kam parë talente mbresëlënëse dhe uroj që ndonjë prej tyre të vazhdojë këtë rrugë, por nga ana tjetër ju këshillojë pavarësisht se mund të zgjidhje një tjetër profesion, të mos e lini këtë aktivitet të syrit, mendjes, duarve që ju jep mundësinë të ushqeni fantazinë tuaj, të shkëputeni nga e përditshmja dhe të merreni me veten tuaj.
E njëjta gjë vlen për muzikën, skulpturën, poçerinë, qëndistarinë. Në të vërtetë kjo na ka shtyrë që të punojmë për programin jashtëmësimor për artet, zejet dhe për sportin, në mënyrë që ti japim mundësi fëmijëve të kalojnë kohën e lirë përmes një disipline artistike apo zejtarisë dhe kështu duke krijuar vepra që padiskutim që i vlejnë shumë syrit, mendjes. Shpresoj shumë ndonjë nga fëmijët ta vazhdojë këtë rrugë, është rrugë e vështirë ajo e artit por shumë e bukur.”

Ky konkurs është shndërruar në një aktivitet të përvitshëm, duke krijuar një traditë në prag të fundvitit nga Ministria e Arsimit për të ekspozuar piktorët e rinj.

Këtë vit në linkun e aplikimit kanë ardhur afro 2500 piktura rreth bukurive natyrore të vendit tonë, momenteve dhe figurave simbolike të historisë që do të mbeten të paharruara për vlerën e madhe kombëtare që mbartin.