Kuvendi i Shqipërisë diskutoi sot projektligjin “Për vreshtarinë dhe verën”. Ky ligj vjen pas konsultimit të gjerë me të gjithë fermerët, prodhuesit e verës dhe grupet e tjera të interesit si dhe është konform legjislacionit të Bashkimit Europian.

Ligji ekzistues që mbulon vreshtarinë dhe verën i vitit 1999 zëvëndësohet me një ligj të ri të përafruar me direktivat dhe që synon formalizim të sektorit si dhe kontroll më të mirë të tij sa i takon sigurisë.

Me anë të këtij ligji përcaktohet vendosja e rregullave për kultivimin e vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, marketingun, potencialin e prodhimit dhe kontrollet e produkteve të verës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshtatjen me kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar; mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të tjerë në sektorin e verës; nxitjen e përmirësimit të cilësisë së produkteve, duke mundësuar, ndërkohë, masa kombëtare për politikën e cilësisë në sektorin e verës.
Për herë të parë ligji parashikon krijimin e Komisionit të Verës, që merret me ekzaminimin në substancë të specifikimeve të verërave me emërtimet e origjinës dhe treguesit gjeografike. Së dyti vlerësimin e aplikimeve për verërat me term tradicional dhe parashikon gjithashtu krijimin dhe rifreskimin e kadastrës së vreshtave ndërkohë që saktëson varietet që mund të kultivohen.

Vreshtaria dhe prodhimi i verës është një sektor i rëndësishëm në punësimin dhe rritjen e atë ardhurave në ekonominë rurale. Në vendin tonë janë 12 100 ha vreshta dhe prodhohet mbi 26 mijë hektolitra verë, trend që ka ardhur duke u rritur në 10 vjetët e fundit, teksa ka nisur edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra, që po mbështetet edhe nga Skema Kombëtare 2022, si produkt që siguron hershmëri prodhimi dhe rendiment të lartë.

Ky ligj i vjen në mbështetje mbi 60 kantinave, subjekte që prodhojnë verë të cilësive të ndryshme deri në standardin më të lartë dhe janë të shtrira në të gjithë territorin.

Vreshtaria dhe kantinat janë në fokus të politikave të MBZHR pasi përbëjnë një potencial të rëndësishëm eksporti, ndërsa ky sektor po kontribuon edhe në zhvillimin e turizmit rural.