Kryeministri Edi Rama, mbrëmjen e sotme ishte i pranishëm në një ceremoni të posaçme, në Pallatin e Brigadave, kushtuar mjekëve dhe infermierëve në shenjë të shprehjes së mirënjohjes për punën e tyre të palodhur, sidomos gjatë këtyre tre viteve të pandemisë.
Në fjalë e tij Rama përveçse shprehu falënderimet për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin e sistemit shëndetësor, shtoi duke thënë: “Ne jemi përpjekur me të gjitha mënyrat që këtë respekt dhe solidaritet ta shprehim duke rritur cilësinë e kushteve në të cilat ju punon, që sot, të pakët në sytë e mi, kështu thonë, sepse i kam parë në vijim këto kushte, janë shumë më të mira sesa më parë, me aparatura dhe me mjete, gjithmonë e më cilësore.”
“Dhe nga ana tjetër për të rritur edhe shpërblimin tuaj, ne e dimë shumë mirë, se pavarësisht se pagat janë rritur rreth 70%, në raport me pikënisjen nuk mjafton dhe duhet të bëjmë përsëri rritje dhe duhet patjetër të përmbushim objektivin, që të paktën pagat t’i kemi rritur 100%, nga pikënisja brenda këtij mandata. Dhe të jeni të sigurt që këtë do ta bëjmë me prioritet, sepse ju meritoni më shumë se kaq, por më pak se kaq nuk e meritoni.” tha Rama.
Më tej Kryeministri vijoi: “Pavarësisht vështirësive të kësaj kohe, pavarësisht një prirje që është edhe mes bluzave të bardha, siç është në shumë vende të jugut të Europës për t’u larguar kemi pasur mundësin të punësojmë rreth 5000 infermierë në sistemin tonë shëndetësor, të punësuar tërësisht në kushte të tjerë të garantimit të konkurrencës dhe meritës, gjë që tanimë nuk është në diskutim. Dhe janë mbi 900 vetëm këtë vit, të punësuar të rinj në sistem, ashtu sikundër janë 1320 mjekët e punësuar në këtë periudhë dhe 335 vetëm gjatë këtij viti.”