Serbia dhe Zvicra luajnë sot në 20:00 për grupin G të Kupës së Botës. Dueli i Botërorit 2022 është një finale, me skuadrat që kërkojnë kualifkimin. Për helvetët mjafton një pikë, teksa ballkanasve iu duhet fitorja. Veç aspekti sportiv, L’Equipe në Francë e cilëson këtë sfidë si shumë politike, për vetë faktin se te Zvicra luajnë dy futbollistët shqiptarë (Xhaka dhe Shaqiri), me median në fjalë që tregon situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë. Gazeta e ka nisur artikullin e saj me frazën: “Mund të shpërthejë”, duke iu referuar një gazetari serb.
“Përcaktuese për kualifikimin në 1/8 e finaleve kjo ndeshje e fundit e grupit G ka aromën e barutit politik. Njohja e neutralitetit proverbial zviceran, “nuk të lejon ta imagjinosh këtë, por pavarësisht kësaj të gjithë do të vëzhgojnë dhe gjestin më të vogël për shkak të asaj që ka ndodhur katër vjet më parë”,- thekson Loïc Tregourès, autor i librit “Futbolli në kaosin e Jugosllavisë”.
Hija e përballjes së tyre të fundit, të fituar nga Zvicra (2-1), në Kupën e Botës 2018, rri pezull, si një shqiponjë e pangopur, mbi këtë duel. Atëhere kosovaro-zviceranët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, u ofenduan në korr nga publiku i nxehtë i ‘Arena Baltika’, në Kaliningrad, i cili mbështeste Serbinë. Ndërsa dy futbollistët i festuan golat e tyre duke imituar me duar shqiponjën dykrenare, simbol i bashkimit shqiptar”, përshkruan ‘L’Equipe’.
Më poshtë në artikull shpjegohet se “Me këtë gjest, dy lojtarët me origjinë kosovare kishin shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën, të cilësuar si “një krahinë jugore serbe” nga Beogradi, i cili nuk e njohu kurrë pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008. Katër vite më parë mediat Serbët e denoncuan si “një provokim të turpshëm” festimin e golashënuesve të Zvicrës, të cilët u sanksionuan edhe nga FIFA me një gjobë prej 8660 € për “sjellje josportive”, rrëfen e përditshmja franceze.
Artikulli vazhdon: “Konfederata Zvicerane, e cila e njohu pavarësinë e Kosovës më 27 shkurt 2008, ruan marrëdhënie të mira me vendin ballkanik pa dalje në det, i cili njihet zakonisht si “kantoni i 27 Zvicrës”. Kjo daton në vitet 1960 kur Unioni i Fermerëve të Zvicrës kishte rekrutuar punëtorë sezonalë jugosllavë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë të Kosovës. Lidhjet u forcuan edhe më shumë në vitet 1990, me pritjen e shumë refugjatëve që ikin nga konflikti ballkanik.
Sot mediat lokale llogarisin rreth 200,000 njerëz me origjinë kosovare që jetojnë në Zvicër, pra afro 10% të popullsisë të Kosovës”,- shkruan e përditshmja franceze. Sipas gazetarëve Jocelyn Lermusieaux dhe Sébastien Buron: “Këtë afërsi, ish-futbollisti i famshëm i kombëtares franceze, Alain Giresse, sot trajner i Kosovës, me shumë “lojtarë të lindur në Zvicër”, ishte në gjendje ta vlerësonte, në mars kur skuadra e tij luajti kundër Zvicrës, në një stadium të mbushur plot me shqiptarë në mes të Zyrihut (1-1)”.
Para përballjes aktuale serbo-zvicerane, në “Stadiumin 974” në Doha, dy formacionet u përpoqën të çminonin tokën, duke shmangur edhe provokimet më të vogla në lidhje me politikën. “Në vitin 2018 humbëm shumë energji me këtë histori”, pranoi Xhaka pas disfatës ndaj Brazilit (0-1). “Këtë herë, ne do të fokusohemi te ndeshja”- siguroi ai.
Por uji po vlon. E dëshmon një provokim i serbëve që çoi në hapjen e procedurave disiplinore nga FIFA në fillim të turneut. Në 24 nëntor, përpara se të përballeshin me Brazilin (0-2), lojtarët serbë kishin shfaqur në dhomën e tyre të zhveshjes një pankartë në të cilën harta e Kosovës ishte përfshirë brenda asaj të Serbisë, e shoqëruar me mbishkrimin: “Ne nuk do tërhiqemi”.